Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se të gjithë kriminelët që ishin përgjegjës në sulmin terrorist në Banjskë duhet të dalin para bankave të drejtësisë. Ai tha se është lajm i mirë, ani pse u shpreh se “më mirë vonë se kurrë”. Pas takimit me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, Konjufca foli edhe për procesin e Berlinit për çka nuk e mohoi mundësinë që Kosova mund të përjashtohet nga ky proces.
Konjufca tha se prokurorisë i është nevojitur kohë për të kompletuar dosjen e aktakuzës për numrin e madh të terroristëve të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Konjufca: Lajm i mirë ngritja e aktakuzës për rastin Banjska
“Ky po që është një lajm i mirë dhe një lajm për të cilën nuk dua të jap kritikat pse u vonua kaq shumë. Do të thosha që fraza më e mirë që i shkon këtij lajmi është ‘më mirë vonë se kurrë’ dhe kështu ka ndodhur. Me siguri tash po supozoj që prokurorisë i është nevojitur gjithë ajo kohë për të kompletuar dosjen e aktakuzës sa i përket gjithë atij numri të madh të kriminelëve të cilët ishin të përfshirë drejtpërdrejt në këtë sulm. Kështu që pasi kjo çështje të bëhet objekt i drejtësisë, ju si gazetarë ju inkurajojë që gjithë fokusin ta keni te institucionet e drejtësisë që ky proces të shkojë ashtu siç duhet, të zhvillohen në mënyrë profesionale dhe të gjithë kriminelët që ishin përgjegjës në këtë sulm e që në të cilën është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Ta marrin dënimin e merituar dhe të dalin para bankave të drejtësisë”, deklaroi Konjufca.
I pyetur nëse Kosova mund të ketë gjasa të përjashtohet nga procesi i Berlinit, Konjufca deklaroi se pozicionimi i BE-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi nuk është i barabartë.
Konjufca: Kosova po përjeton padrejtësi në procesin e dialogut
“Kosova është e diskriminuar në këtë proces, Kosova po përjeton padrejtësi në këtë proces. Dhe nuk ka shembull më të qartë se këtë që dua ta them tash, Kosovës i bëhet presion dhe përjashtimi mund të vie për shkak të mos zbatimit të marrëveshjeve dhe të sjelljes së Kosovës, çfarë po bën Kosova është që po dëshiron të realizojë një përmbajtje e cila është pikërisht në marrëveshje. Është hapja e Urës së Ibrit. Negociatorët e mëhershëm e kanë bërë urën pjesë të negociatave, mirëpo palët janë pajtuar që ura të hapet. Tash kur Kosova dëshiron ta zbatojë këtë marrëveshje, nuk duhet të hapet ura, thonë faktorët ndërkombëtarë. Ndërsa, faktin që ne ende nuk po mund ta zbatojmë asociacionin e për këtë Kosova meriton të përjashtohet. Këto janë standarde të dyfishta, Kosova nuk trajtohet e barabartë në procesin e dialogut, Serbia trajtohet ndryshe, Kosova trajtohet ndryshe… Unë nuk po them që e përjashtojë këtë mundësi që t’i ndodhë Kosovës, por ne nuk kemi rrugë tjetër përveçse të luftojmë për të drejtat tona”, shtoi ai.
Konjufca shtoi se Kosova dëshiron të vjen në një pikë ku sundimi i ligjit nuk është destabilizim.
Konjufca: Nëse përjashtohemi nga procesi i Berlinit, atëherë mund të them që më keni lënë pa tekst
“Është betejë e drejtë që sundimi i ligjit të mos jetë destabilizim. Kjo është lufta që po e bën Kosova sot. A ka mundësi të bëjë edhe sundim të ligjit edhe shtrirje të sovranitetit edhe kjo të mos jetë destabilizim. Kjo është një betejë e drejtë, kësaj nuk mund t’i thoni gabim prej anës të Kosovës. Ndoshta nuk e kemi gjetur mënyrën më të mirë, do ta përmirësojmë, por drejtimi është i mirë, është i duhur. Ndoshta nuk po mund të arrijmë stacionin e duhur në të cilën jemi nisur me shpejtësinë e duhur, por do të bëhemi më të shpejt. Unë nuk kam dilema në drejtimin, drejtimi është i sovranitetit, drejtimi është i sundimit të ligjit. E nëse për këtë përjashtohemi, unë mund të them që më keni lënë pa tekst”, përfundoi ai.