Lajme

Deputetët e VV-së kritikojnë PDK-në për mosdistancim nga deklarata e Totajt e dhënë në Tëvë1

Deputetët të Vetëvendosjes kanë vazhduar kritikat ndaj anëtarit të PDK-së dhe kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, për deklaratën e dhënë mbrëmë në emisionin “InfoNata” në Tëvë1 për veprimet e Qeverisë Kurti në veri.

Pas Arban Abrashit, kanë reaguar edhe deputetët, Adnan Rrustemi e Enver Dugolli.

Rrustemi ka thënë se krahasimi i veprimeve të Qeverisë për shtrirje të sovranitetit në veri me ato të regjimit të Millosheviqit është më shumë se skandal.

Ai ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës për mos distancim.

“Zyrtari i lartë i PDK-së e Kryetari i qytetit historik, Prizrenit e krahason Kryeministrin Kurti me Millosheviçin. Sipas tij veprimet legjitime në vendin tonë për ta shtrirë sovranitetin e largimin e mbetjeve të Serbisë janë të njëjta me veprimet okupuese e gjenocidale të Millosheviçit ndaj shqiptarëve. Kjo është pak për të qenë skandal. Më tej, në atë çfarë thotë ky, Millosheviçi nuk është që e ka pasur keq, ama gabimi i tij ka qenë veç që s’u koordinu me ndërkombëtarët. Ndërkohë, ende nuk pamë të paktën distancim të PDK-së”, ka shkruar ai.

Edhe deputeti tjetër i VV-së, Enver Dugolli ka kritikuar këtë deklaratë, duke kujtuar që një të ngjashme e ka thënë edhe anëtari i LDK-së dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

“Gazmend Muhaxheri i LDK-së nuk është i  vetëm. Tani po shohim edhe një figurë të rëndësishme nga PDK-ja (Shaqir Totaj) i cili po i krahason veprimet e policisë dhe qeverisë së Kosovës me ato të Millosheviqit!! Ky është po se po skandal, por skandali bëhet edhe më i madh kur ndaj këtyre deklaratave me figurë e zë  nuk kemi asnjë distancim nga LDK-ja e as nga PDK-ja”, ka shkruar Dugolli.

Reagim ka pas edhe nga deputeti Mefail Bajqinovci.

Ai ka thënë se PDK e LDK janë bashkuar kundër Qeverisë Kurti për ta krahasuar me Millosheviqin.

“Pozicioni i PDK-së dhe LDK-së është i ngjashëm dhe i qartë. Këto dy parti që e lanë veriun ashtu siç e lanë janë bashkuar tash kundër Qeverisë Kurti për ta krahasuar me Millosheviqin për përpjekjen e saj për shtrirje të kushtetushmërisë dhe kthimin e shërbimeve të vendit në veri të vendit”, ka thënë ai.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, të martën në emisionin “Info Nata”, në Tëvë1, ka folur për veprimet e qeverisë aktuale të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut.

Totaj, ka deklaruar se kryeministri Kurti vepron në mënyrë të njëanshme, madje këto veprime i ka krahasuar me veprimet e Slobodan Millosheviqit dikur.

“Në këtë mënyrë me intervenime policore, ne e dimë si ka vepruar Slobodan Millosheviq dhe çfarë rezultati ka pasur më tutje. Në asnjë mënyrë, nuk mendoj se kjo është qasja e duhur dhe vetëm po i  bëhet dëm Kosovës, si dhe reputacionit të saj në arenën ndërkombëtare. Veprimet e pakoordinuara me faktorin ndërkombëtar relevant, veprimet me përdorim të dhunës policore, veprimet ku tentojnë të imponojnë zgjidhje me këto metoda një analogji ekziston”, ka thënë Totaj.