Shëndetësi

Eva Alikaj: Ikona shqiptare që vazhdon të shkëlqejë edhe në skenat e Austrisë, aty ku emigrimi behet

Nga Josif Papagjoni

Herë pas here tundohem të shkruaj për aktorët, që një jetë i dhanë spektatorëve të skenës dhe shikuesve të ekranit kënaqësi të thella duke qenë tejet të pranuar e të pëlqyer prej tyre.

Njëra prej tyre është dhe Eva Alikaj, tejet e njohur dhe për shumë vite zotëruese e ekranit.

Këto dite ndoqa monodramen “Maria Kallas”, qe ajo e luajti me ndjeshmeri ne Teatrin e Operes dhe Baletit. Keshtu gjeta nje pretekst per te folur diçka me shme per të…

Duke e pasur në zemër zejen e kritikes dhe nje dorezanesi te krijimtarise se aktoreve tane, përherë kam menduar se aktori është një artist i privilegjuar për nga popullariteti dhe imazhi, ndryshe nga shumë arte dhe artistë të tjerë, të cilët janë po njësoj në mos dhe më shumë të çmuar për nga gjeniumi dhe krijimtaria e tyre.

Kush nuk e di këtë! Aktorët janë, si të thuash, pjesë e sofrave tona familjare. Mirëpo mes tyre ka ca syresh, imazhi i të cilëve ngulet thellë në kujtesën e publikut, të vetë kombit.

Gati-gati ata krijojnë “kohën e tyre” sepse mekanizmi i mitizimit u heq nga portreti çdo mangësi e lëmizhde të jetës personale dhe lë veçse imazhin e roleve që ata kanë mishëruar me mjeshtëri, identifikohen me to.

Kështu ka ndodhur dhe me Eva Alikajn besoj, një aktore që u bë ikonë e filmit shqiptar para vitit 1990.

Krahas simpatisë sime për aktrimin e saj të natyrshëm, ku brenga sikur tretet në thellësi të psherëtimës njerëzore dhe fshihet pas syrit të butë e të mbytyr në trishtim, përherë më ka tërhequr dhe diçka që lidhet me origjinën e prindërve të saj, me fshatin Çorraj të Sarandës, nga janë po me origjinë i ndjeri poet Viktor Qurku dhe poeti në zë Ilirian Zhupa, sikurse tenori i mirënjohur Josif Gjipali.

Nga Çorraj ishte dhe Maro Konda, që u hodh nga shkëmbi mos t’ju binte në dorë turqve duke marr me vete në greminë më litarin që e kishin lidhur, edhe një tufë shallvarexhinjsh osmanë që e mbanin fort. Kjo prani bregase e Evës ka krijuar një vel mallëngjimi dhe empathie tek unë. Ja që ca huqe krenarie të krahinarizmit s’i hiqen dot te gjorit njeri!

Eva është një grua tejet e dashur. Tejet feminile. Pas vitit 1990 ajo e ndan jetën midis Vienës dhe Tiranës.

U lind në Tiranë, më 25 prill 1961. Pasi kreu strudimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve për aktore më 1983, fill më pas u emërua në Teatrin Popullor dhe punoi aty deri në vitin 1991. Nga ky vit, siç thamë, ajo emigroi në Austri.

Në ekran Eva u bë e dashur për shqiptarët sepse ishte vetvetja, shprehte në gjithçka vetveten, por të vendosur në rrethanat dhe hallet që personazhet e saj kishin dhe duhet të zgjidhnin.

Shpejt u bë aktore e pëlqyer për ekranin dhe, sipas meje, qe e tilla se respektoi vetveten.

Është lloji i aktores që pak ndryshon nga formati i saj qenësor bazik, veçse thellohet dhe dëshmon pamje të ndryshme të këtij formati.

Më së pari lojën e saj e dallon nga sinqeriteti, spontaneiteti dhe ngrohtësia emocionale që ajo ka përcjellë në figura vajzash të dashuruara, të cilat, nga ana tjetër, e tejkalojnë veskun thjesht poetik e mallëngjyes dhe kërkojnë nga vetja dhe partenri dinjitet.

Këtë qasje e bëri gati vezulluese te roli i Emës në filmin “Njeriu i mirë” (1982), me të cilin fitoi edhe Kupën e Festivalit të V të Filmit Artistik Shqiptar, si aktorja më e mirë femër.

Ajo i dha figurës tonime të kahjes dramatike, ku buiste, po ashtu, edhe një emocion i ngrohtë njerëzor, në të cilën shprehej fyerja dhe pendesa, të shoqëruara nga kundërshtitë e brendshme, për të gjetur drejtpeshimin shpirtëror në vendimmarrjen ndaj dashurisë. Edhe me rolet e Lindës në filmin “Shirat e vjeshtës” (1984), e Etlevës në filmin “Treni niset në 7 pa pesë” (1988) dhe atë të Anës në filmin “Jeta në duart e tjetrit” (1990), Eva spikati për lojën e natyrshme e të sinqertë, për vërtetësinë në zbulimin e brengave të personazheve, për përthyerjet e saj në botën shpirtërore të tyre, të bëra me një organicitet të lavdërueshëm.

Në aktrimin e Evës unë kam dalluar përherë atë sens të hollë psikologjik, aftësinë dhe intuitën e saj për zbulimin e rrafsheve të fshehta apo kinse të “fjetura” të figurave artistike aktoriale. Këtë e kam parë edhe në role të tilla si:

Evgjenia te filmi “Vendimi”, 1984; Ilona te filmi “Botë e padukshme”, 1987; Irena te filmi “Hijet që mbeten pas”, 1985; Edlira te filmi “Stola në park”, 1988, vajza te filmi “Përdhunuesi”, 1994, etj.

Por Eva Alikaj nuk ishte vetëm aktorja e filmit, ajo fitoi me kohë adhurimin e spektatorëve të shumtë edhe në skenën e teatrit. Sot shumëkush nuk e heq nga mendja rolin e Elsës në komedinë e famshme “Pallati 176” të A. Balashit.

Një vajzë thuajse naive, e llastuar, tipare me të cilat aktorja i luan me sqimë feminile dhe një spikamë humori pa të keq. Përpos disa figurave të natyrës lirike, që bënin fjalë për vajza të dashuruara, në vitin 1988 ajo solli figurën e Katerinës në komedinë “Zbutja e kryeneçes” e Shekspirit, përmes të cilës shfaqi një temperament të fortë loje dhe shije të mirë ndaj komikes. Ndër pikat më të larta të aktrimit të Evës unë çmoj rolin e Zhuljetës në tragjedinë “Romeo dhe Zhuljeta” të Shekspirit (1989).

Falë një ndjeshmërie të lartë e përjetimi të brendshëm, ku zotëronin ngjyrimet e ngrohta, hijeshia plastike, brishtësia e fjalës dhe lirizmi, ajo arriti të përvijojë një botë të shqetësuar prej një vajze të brishtë e të pafajshme (sikurse qe Zhuljeta), po aq edhe dhimbjen e thellë të saj, fatin e hidhur, vdekjen tragjike. I shkonte si naiviteti i vashës së re Zhulietë, erosi i pafajshëm i saj, ashtu dhe morti, tragjizmi i vdekjes ndën një zymtësi lëndonjëse.

Pas më shumë se 10 vitesh e larguar nga Shqipëria, u rishfaq me rolin e Monës në komedinë “Ylli pa emër” të Mihail Sebastianit, nën një vështrim liriko-burlesk, duke bërë gërshetime të zgjuara mes rrafsheve liriko-psikologjike dhe atyre sarkastike e groteske. Eva di ta luaj natyrshëm këtë shilarës nga dramatikja te lirikja dhe komikja. Në vitin 2007 solli një shpirt të trazuar, Lola Blaun në monodramën homonime, një nga realizimet më të ndjera dhe më komplekse, me thyerje të shumta planesh interpretative. Me këtë rol u vlerësua si Aktorja më e mirë në çmimet Kult.

Në vitin 2014 e pash në rolin e Ofelisë në dramën “Hamletmakinë” të Hainrih Muler. Pata frikë se si do të ishte loja e saj në një nga dramat prijëse të postmodernizmit evropian, por teksa e ndoqa me vëmendje vura re se ajo i dha një qasje moderne figurës, futi aty shtresime ironike e sarkastike, gjer dhe groteske duke theksuar bjerrjen e figurës së shenjtëruar nga miti, letërsia dhe poezia nën epigramin: “Dashuria pa dashuri”. Në interpretimin e saj nuk ishte më vasha e dëlirë, fisnike e poetike, por femra nervoze, e margjinalizuar, tashmë e përvuajtur, e abuzuar dhe e përqeshur, falë kjo edhe një trajtimi plastik domethënës që aktorja mundësoi. Do të kujtoja po ashtu role të tjerë që i rrinin për shtat natyrës dhe temperamentit të saj si p.sh. Euromeni te drama “Prometeu”, 1983.

Eva Alika, ndonëse larg, ti je këtu, në këtë dhe´, te ky popull që të ka vlerësuar e respektuar! Je pjesë e jona, një enë “gjaku” prej talentit të këtyre njerëzve. Unë të uroj çdo gjë të bukur e të paqme, kudo qofsh, si këtu në Tiranë, si atje në Austri…