Lajme

Aktakuza për sulmin në Banjskë: Sulmuesit tentuan ta shkëpusin veriun e Kosovës e t’ia bashkojnë Serbisë

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka bërë të ditur se grupi terrorist që kreu sulmin më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë, kishin shkëputjen e veriut të Kosovës dhe t’ia bashkojnë Serbisë.

Në komunikatën për media, Prokuroria ka bërë të ditur se pjesëtarët e grupit terrorist akuzohen që përfshijnë kryerjen e veprave terroriste, krime kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, financimin e terrorizmit dhe pastrimin e parave.

“Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë tentuar shkëputjen e pjesës veriore të territorit të Republikës së Kosovës, me qëllim që t’ia bashkojnë këtë territor Republikës së Serbisë. Gjatë këtij veprimi, si rezultat i dhunës së përdorur, ka humbur jetën zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar për ndjekjen penale të të gjitha rasteve që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë publike, duke përdorur të gjitha mjetet ligjore për të siguruar drejtësi dhe siguri për qytetarët e vendit.

Aktakuza është ngritur ndaj 45 personave në krye me Milan Radoiçiqin./teve1.info/