Lajme

Arrest shtëpiak ndaj katër serbëve për sulm ndaj policëve në Mitrovicë të Veriut

Gjykata e Mitrovicës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj katër personave të arrestuar në Mitrovicën e Veriut, të dyshuar për ofendim dhe sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga avokati i të dyshuarve, Shyqyri Syla.

Sipas deklaratës së avokatit Syla, Prokuroria kishte kërkuar fillimisht masën e paraburgimit për të dyshuarit, por gjykata vendosi që ata të mbahen në arrest shtëpiak.

Para mediave tha se të arrestuarit kanë kërkuar falje publike, poashtu kanë pranuar që i kanë fyer zyrtarët policorë por jo edhe që i kanë sulmuar.

Ndërkohë, që nga ora 10:00 e paradites, një grup qytetarësh të komunitetit serb kanë protestuar para hyrjes së Gjykatës, duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar.

Megjithatë gazetarja e cila po qëndron në veri, ka raportuar se pas vendimit të gjykatës, protestuesit janë shpërndarë të qetë.

Lidhur me protestën, nuk është raportuar ndonjë incident.