Lajme

Miftaraj për aktakuzën e Banjskës: Grupi u financua indirekt nga qeveritë e Serbisë dhe të Kosovës përmes tenderëve

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se aktakuza e ngritur sot nga Prokuroria Speciale kundër 45 personave për agresionin në Banjskë, është një ndër aktakuzat më të mira që Prokuroria Speciale i ka hartuar në vitet e fundit.

Sipas tij, aktakuza ka rrjedhshmëri logjike, është e bazuar në dëshmi dhe sipas tij, i ka prekur pothuajse pjesët kryesore që lidhen me veprat penale që kanë ndodhur në Banjskë.

“Nëse e lexojmë aktakuzën si tërësi, e shohim se veprimet që janë ndërmarrë në veri, e shohim se të gjitha këto veprime që janë marrë nga Radoiçiqi dhe 44 e tjerët të akuzuar, i kanë bërë kryesisht me mbështetje dhe financim indirekt nga ana e Qeverisë së Serbisë por edhe nga një shumë më e vogël që janë dhënë edhe nga institucionet e Kosovës”.

“Nëse e shohim aktakuzën, kanë qenë dy burime të financimit. Burimi i financimit të mjeteve nga buxheti i Serbisë, kryesisht që janë dhënë për tenderë për ta rregulluar infrastrukturën në pjesën veriore, që shkon me dhjetëra-miliona euro, por edhe tenderë që janë dhënë nga Qeveria e Kosovës apo komunat në veri që janë në një vlerë shumë, shumë më të vogël”, tha Miftaraj.

Tutje, ai tha se këto forma të financimit kanë kontribuar që grupi kriminal i udhëhequr nga terroristi Millan Radoiçiq të ketë mundësi financiare që ta blejë armatimin dhe t’i ketë mjetet logjistike për ta kryer sulmin.

“Shihet qartazi se kjo nuk ka ndodhur brenda një periudhe të shkurtër kohore. Nëse i referohemi aktakuzës, fillet e para janë qysh në fund të vitit 2018, por kanë marrë një kthesë pas vitit 2021 e këtej”, tha ai.