Lajme

Bekim Haxhiu: Me keqqeverisje e korrupsion, po shkatërrohet sistemi shëndetësor

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se është shqetësuese ikja masive e profesionistëve shëndetësor nga Kosova. Sipas tij, korrupsioni në sektorin e shëndetësisë ka rënduar edhe më shumë situatën, duke dekurajuar profesionistët shëndetësor.

Ai ka thënë se deri më 1 qershor 2024, mbi 3,860 profesionistë shëndetësor kanë lënë vendin në tri vitet e fundit, dhe shumë të tjerë janë transferuar nga sektori publik në atë privat, duke krijuar një situatë alarmante për sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Ikja e profesionistëve shëndetësor është shndërruar në një dukuri shqetësuese për sistemin tonë shëndetësor”, ka deklaruar Haxhiu, duke shtuar se ky fenomen do të mund të çojë në kolapsin e sistemit shëndetësor nëse vazhdohet me këtë ritëm.

Për këtë situatë, ai ka thënë se është shkak i keqqeverisjes dhe paaftësisë së qeverisë, duke përmendur se statuti i SHSKUK-së parashikon mbylljen e disa shërbimeve në spitalet regjionale.

“Kjo është pasojë e keqqeverisjes ku edhe me statutin e SHSUKS parashihet mbyllja e disa prej shërbimeve në spitalet regjionale. Paaftësia e qeverisë, keqqeverisja në shëndetësi korrupsioni në këtë sektor ka rënduar edhe më shumë gjendjen në shëndetësi dhe ka dekurajuar profesionistët shëndetësor”, ka deklaruar Haxhiu ne seancën plenare te Kuvendit të Kosovës.