Lajme

Paralajmërimi “72 orësh” i Vuçiqit, Ramabaja kërkon veprime urgjente

Sadri Ramabaja ka thënë se shqiptarët duhet urgjentisht të miratojnë konceptin politik për një “Federatë Shqiptare”, si përgjigje ndaj kërcënimit të presidentit të Serbisë për marrjen e masave ndaj, siç e quan ai, “sulmin brutal” kundër serbëve në veri të Kosovës.

Komentatori politik dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, tha të enjten se përgjigja urgjente e Kosovës duhet të jetë një platformë për bashkim me Shqipërinë.

“Aleksander Vuçiqi, kërcënon publikisht se brenda 72 orëve do të bëjë publike masat që do të marrë Serbia për gjoja mbrojtjen e serbëve etnik në Kosovë, duke mos përjashtuar as marshin e ushtrisë!”, tha të enjten Ramabaja, në një shkrim në rrjetet sociale.

“Përgjegjia më e mirë dhe më e duhura, urgjente [që kërkohet të jetë shumë eksplicite], që na duhet në këtë momentum politik ndaj këtij kërcnimi, është tumirja e konceptit politik për Federatën Shqiptare dhe atë pikërisht në Tiranë. Ky akt duhet të pasohet urgjentisht me aktin juridiko-politik të unifikimit të Sistemit të Mbrojtjes të që të dy republikave tona, si një qasje strategjike urgjente dhe e domosdoshme.”

Ramabaja tha se vonesat dhe “çfardo zvarritjesh e pengesash që i bëhen këtij akti, do të ketë koston e vet politike, morale e historike”.

“Do të përgjigjemi seriozisht brenda 72 orësh”, ishte deklarata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq të martën, menjëherë pas takimit me emisarin Miroslav Lajçak.

Përgjigjen, Vuqiç e lidhi me veprimet e institucioneve të Kosovës në veri të cilat i konsideroi “sulm brutal” ndaj serbëve në veri të Kosovës.