Lajme

Geci: Serbia e Rusia po përgatisin grupe terroriste, ky është qëllimi i tyre

Veprimtari i LDK-së, Halil Geci, thotë se, përderisa Serbia dhe Rusia  janë dakorduar për zgjerimin e territoreve paqja nuk ekziston.

Ai thotë se, Serbia, sikur të kishte mundësi dhe po të fitonte Rusia në luftën e Ukrainës që moti do ta shkrepte luftën në Ballkan, njësoj si Millosheviqi dikur.

Ai thotë se, provokimet dhe tentimet e Serbisë për ta ndezur Kosovën në flakë janë të vazhdueshme, duke shtuar se, arsyeja është se katër luftërat që i ka ndezur Serbia e sidomos lufta e Kosovës e viteve 1988 1999, ishte e përmasave të buta dhe pikërisht kjo e ka trimëruar dhe llastuar tej mase Serbinë.

“Serbia e ndjen veten në një mënyrë si një superfuqi e vogël, e mbështetur nga Rusia, njësoj si Izraeli në Lindjen e Mesme, i mbështetur nga Amerika. Mu kjo butësi që po e tregon perëndimi përballë kësaj “Rusie të Vogël” të Ballkanit me emrin Serbi, i sjellë edhe vizione imagjinative në strategjitë e saj, ndaj vazhdon me kërkesa të papranueshme. Mu kjo sjellje e butë e perëndimit e ka trimëruar Serbinë tej mase, prandaj Serbia duke mos u frikësuar nga askush, bëhet këmbëngulëse duke kërkuar territore pa qenë kurrë të saj”, thotë Geci.

Ai shton se, përpjekjet e  parreshtura të Vuçiqit dhe të Putinit për ta tensionuar gjendjen në Kosovë janë në rritje të vazhdueshme.

“Qysh para luftës, por edhe në luftë, Serbia e pati filluar pastrimin e veriut duke i vrarë dhe duke i shpërngulur me dhunë e me tortura shqiptarët. Më 14 Prill 1999, Serbia e dëboi popullatën shqiptare nga veriu, ndërsa vetëm në “Lagjen e Kovaçëve”, i vrau 26 meshkuj dhe në mesin e tyre edhe mikun tonë Afrim Peci. Veriun e zbrazën pothuajse tërësisht duke vazhduar tutje misionin e tyre barbarë ndaj popullatës së pambrojtur civile. Në kohën e paqes, në mëngjesin e datës 3-4 shkurt të vitit 2000, në “Lagjen e Ibrit” në veri, Serbia iu hyri nëpër shtëpi banesa të shqiptarëve, duke i vrarë, plagosur e duke i rrahur fizikisht qytetarët shqiptarë të po kësaj lagjeje dhe vetëm më 3-4 shkurt i vret 10 shqiptarë, 25 të tjerë i plagosën, 93 të tjerë, të po kësaj Lagjeje, i rrahin dhe i maltretojnë tmerrësisht”, potencon Geci.

Sipas tij, vVlen ta përmend se kjo ka ndodhur në prani të KFOR-it francez.

“Serbia vazhdon me provokime të njëpasnjëshme duke e nisur trenin rus për në Mitrovicë, tren i cili u ndalua në Rashkë nga KFOR-i. Më vonë provokon konflikt me vrasjen e policit Enver Zymberit. “Rojet e urës” ishin Alfa dhe Omega për Kosovën. Për ta ndërruar një kabllo rryme matanë urës, qeveritarët e atëhershëm duhej ta pyesnin Radoiçiqin. Pastaj ndodhi kidnapimi i policëve në kufirin Podujevë-Serbi. Radoiçiqi dhe Lista Serbe e ndërtuar nga Vuçiqi e mbështetur nga tradhtarët e vendit, filluan në veri grumbullimin e armëve, duke i bartur nga Serbia me ambulanca spitali”, thotë Geci.

Ai vazhdon se nuk kaloi edhe shumë kohë dhe filloi provokimi i radhës, në “Rastin Banjska”, ku u vra oficeri policer, Afrim Bunjaku.

“Sipas informatave të shërbimit anglez dhe amerikan, Serbia nuk ka të ndalur duke përgatitur grupe terroriste, me qëllim të destabilzimit në Kosovë, po edhe në përgjithësi në Ballkan. Se deri kur do të tolerohet dhe sa do t’ia arrijë qëllimeve të veta Serbia që tenton sërish të veprojë me avazin e vjetër të saj, mbetet të shihet. Ndërkombtarët duhet ta dinë se Serbia dhe Rusia duan territore dhe jo paqe”, përfundon Halil Geci.