Lajme

​Kosova e udhëhequr me ushtrues detyre

Për më shumë se tri vite të qeverisjes Kurti 2, shumë institucione të rëndësishme për vendin po vazhdojnë të drejtohen me ushtrues detyre.

Për këtë, kritika ndaj Qeverisë kanë adresuar partitë opozitare dhe shoqëria civile. Mos emërimi në pozita udhëheqëse po shihet si praktikë që partia në pushtet po e përdorë që të ketë kontroll më të lehtë në institucione, por edhe për “rehatimin” e bashkëpartiakëve.

Kryeprokurori i Shtetit, ndërmarrja publike “Trepça”, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Agjencia për Menaxhim Emergjent, Instituti i Mjekësisë Ligjore, e shumë agjencione dhe ndërmarrje të tjera publike po udhëhiqen nga ushtrues detyre.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj deklaroi për KosovaPress, se ekzekutivi i ka dëmtuar institucionet e Kosovës duke i lënë të udhëhiqen me ushtrues detyre.

Sipas Qalajt, edhe kjo qeveri duhet sa më shpejt të jetë me ushtrues detyre.

“Qeveria e Kosovës ka arritur me instalua dhe mendoj që është shumë e dëmshme për institucionet e Kosovës. Ushtrimi i detyrës për një kohë të gjatë fillimisht është i kundërligjshëm dhe e dyta personi i cili është me ushtrues detyre nuk i jep të gjitha autorizimet për punën e tij në ato institucione”, tha ai.

Deputeti tjetër opozitar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti shprehet se Qeveria Kurti po i lë pozitat kyçe të institucioneve me ushtrues detyre me qëllim të interferojë politikisht në punën e tyre.

“Duke filluar prej organeve të drejtësisë, nëpër agjencione të ndryshme, mendoj se kjo është një formë për të interferuar politikisht në punën e atyre institucioneve, shumë prej tyre të pavarura në aspektin kushtetues”, thotë Hoti.

Mendim të njëjtë ka edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi( IKD), Ehat Miftaraj, i cili nënvizoi se kjo qeveri po e vazhdon avazin e qeverisjeve të kaluar sa i përket pozitave që ushtrohen me ushtrues detyre.

Miftaraj vlerëson se kjo praktikë po përdoret me qëllim të kontrollimit më të lehtë nga ana e ekzekutivit ndaj këtyre ndërmarrjeve dhe agjencive shtetërore.

Ushtrimi i pozitave udhëheqëse me ushtrues detyre po kritikohet edhe nga njohësit e ekonomisë. Konsiderohet se si rezultat i kësaj politike po mungojnë edhe sukseset, sidomos në ndërmarrjet publike.

Analisti i çështjeve ekonomike, Adem Qorolli theksoi se institucionet e vendit po i përdorin si trampolinë fuqinë politike të tyre në sistemin e bordeve.

Qorolli ka këshilluar që politika sa më shpejt të heqë dorë nga emërimet politike, sidomos në ndërmarrjet ekonomike të vendit.