Sonja Biserko ka folur lidhur me deklarimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit për veriun e Kosovës të cilin rajon e ka quajtur si “territor i okupuar”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar “masa serioze” në përgjigje të asaj që ai e cilëson si “sulm brutal” ndaj serbëve në veri të Kosovës, pas mbylljes së institucioneve paralele serbe nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Veprimet që i bëri dy vjet më parë, si tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës, ndalimin që të jenë pjesë e zgjedhjeve, në fakt përjashtimin total të serbëve nga shoqëria e Kosovës, meqë të qenurit pjesë e institucioneve nënkuptonte integrimin e tyre, Vuçiq tash po tenton ta kthej në të vjetrën.
Kështu ka komentuar kryetarja e Këshillit të Helsinkut për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko deklarimet e fundit të Vuçiqit, i cili sonte [e premte] ka paralajmëruar që në orën 18:00 do ti drejtohet opinionit lidhur me situatën në Veri të Republikës së Kosovës.
“Ai tash, pasi që nuk kishte sukses as ndarja dhe eventualisht ndonjë lëvizje e tyre në ndonjë rajon tjetër, tenton të kthehet në të vjetrën dhe angazhohet të insistoj në kthimin e serbëve në institucione”, ka thënë ajo për Dukagjinin.
Më tej, Biserko ka thënë se në krejt këtë ka gisht edhe bashkësia ndërkombëtare dhe se në prapaskena nuk po dihet se çfarë po ndodh.
“A do të shkoj kjo përmes zgjedhjeve apo formë tjetër, varet se çka po ndodh në prapaskenë. Me siguri që edhe bashkësia ndërkombëtare ka gisht, andaj nuk mund ta them saktë, por në çdo rast ai[Aleksandar Vuçiq] sonte do të dal me ndonjë propozim. Ky për ‘terrorin e okupuar’ është marrëzi, meqë mendoj se është reagim joadekuat lidhur me situatën në Kosovë”, është shprehur Biserko.