Lajme

Sa dëmtohen prodhuesit vendor në rast të largimit të Kosovës nga CEFTA?

Me pasoja negative në ekonominë kosovare, sidomos te prodhuesit vendor që eksportojnë produktet e tyre, vlerësohet se do të ishte largimi i Kosovës nga CEFTA. Në këtë rrafsh, konsiderohet se Qeveria duhet të jetë e kujdesshme që mos ta rrezikojë këtë largim.

Mundësia e largimit të Kosovës nga nismat rajonale tregtare vazhdon të mbetet temë diskutimi.

Mosbindja e ekzekutivit kosovar që mallrave serbe t’ua largojë ndalesën për të hyrë në Kosovë, vendos në pikëpyetje mundësinë që Kosova të largohet nga CEFTA.

E në rast se një gjë e tillë ndodh, vlerësohet se do ta pësonte ekonomia kosovare.

“Dalja nga CEFTA do të kishte një efekt shumë të madh negative për ne. Kur them për ne, e kam fjalën për prodhimet e Kosovës, për arsye se në moment që del nga CEFTA, me automatizëm produktit kosovarë iu vendoset tatimi doganorë në rajon, dhe ato produkte tona, të pakta që i kemi, nuk do ta kenë më mundësinë që të ekspozohen ose të dalin në tregun e rajonit dhe kështu do të humbim një treg që është fituar me shumë mund nga prodhuesit tanë.”, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Efekt negativ një largim i tillë, parashihet të ketë edhe në investimet e huaja.

“Kjo do të kishte efektin e drejtpërdrejt edhe në investimet e huaja, për arsye se çdo investitorë që vjen, nuk vjen për të investuar për të prodhuar dhe për të shitur në Kosovë, por vjen për të prodhuar në Kosovë dhe për t’i ekspozuar produktet e veta dhe për t’i shitur në vendet e rajonit, ku në rast se është me tatim doganor, atëherë ai nuk do të prodhojë në Kosovë por diku në rajon, për t’i shitur më pas pa tatim doganor.”, theksoi Rafuna.

Situata e tillë, vlerësohet se vjen si pasojë e veprimeve të pamatura politike.

“Kjo lloj sjellje siç është e Qeverisë aktuale që në fakt i paralajmëron miqtë tanë evropianë dhe përfaqësuesit e BE-së, se ne mund të tërhiqemi nga ana e CEFTA-s, vlerësoj se është një çmenduri politike dhe kjo nuk është aspak në interes dhe në favor shtetit dhe të ardhmes ekonomike.”, ka thënë ekonomisti, Mustafë Kadriaj.

Pjesë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore janë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë si parakusht zbatimin e kësaj marrëveshje të njohur si “CEFTA” për t’u integruar në BE.