Tiparet që i dallojnë njerëzit e fortë emocionalisht nuk kanë të bëjnë fare me ashpërsinë e karakterit, as me papërkulshmërinë apo tendencën për t’iu imponuar të tjerëve. Përkundrazi, forca emocionale nuk shprehet përmes gjesteve të forcës, por kryesisht përmes rezistencës dhe vetëkontrollit.
Prandaj, karakteristikat e zakonshme për njerëzit e fortë emocionalisht mund të lidhen me konceptin e moderimit dhe ekuilibrit. Ne vijmë në botë pa njërën dhe pa tjetrën, por potencialisht mund t’i zhvillojmë të dyja. Varet nga secili prej nesh për t’i ushqyer ato. Prandaj, vetëkontrolli është fjala kyçe.
Kjo nuk ka të bëjë me shtypjen e ndjenjave, por me aftësinë për të filtruar atë që ndjejmë, në mënyrë që të mos “shpërthejë” duke na bërë të veprojmë në mënyra që dëmtojnë veten dhe të tjerët. Tiparet e personalitetit të fortë emocionalisht na flasin për vetëkontrollin. Ja 7 prej tyre.
Tiparet e njerëzve të fortë emocionalisht:
1. Nuk përpiqen të tërheqin vëmendjen
Një nga karakteristikat e njerëzve të fortë emocionalisht është se ata e respektojnë veten. Kjo do të thotë që nuk varen nga opinioni i të tjerëve për të menduar apo ndjerë se ajo që thonë ka vlerë dhe është e ndjeshme. Sepse, njjë nga karakteristikat e dobësisë emocionale është varësia e tepruar nga mendimet e të tjerëve. Kjo do të thotë se ata nuk e vlerësojnë mjaftueshëm veten dhe se u japin të tjerëve kontrollin e jetës së tyre.
2. Rezistenca
Kjo karakteristikë lidhet fort me atë të mëparshme. Një nga tiparet tipike të forcës emocionale është aftësia për të përballuar refuzimin dhe për ta menaxhuar atë pa lënduar, lënë plagë ose ndikuar në veprimet e tua. Është e qartë se është e dhembshme për secilin prej nesh që të marrë refuzime.
Megjithatë, kur refuzimi shkakton frikë të tepruar, ne përfundojmë duke thënë “po” kur duam të themi “jo” vetëm nga frika se të tjerët do të na përjashtojnë ose do të na vënë në dyshim. Ne jemi të pajisur me forcë emocionale kur përballemi me këtë frikë dhe mësojmë ta menaxhojmë atë në mënyrën e duhur.
3. Ata bëjnë çfarë duan
Të bësh atë që dëshiron nuk do të thotë të veprosh në mënyrë arbitrare dhe kapriçioze, siç bën një fëmijë. “Dëshira” tipike e fëmijërisë është e ndryshme nga ajo e të rriturve. Në rastin e parë është rezultat i një impulsi, në të dytin është rezultat i vetënjohjes dhe vetëkontrollit të thellë. Një person i fortë emocionalisht është i aftë të vendosë se çfarë dëshiron pas një procesi reflektimi. Ai gjithashtu ka vullnet të mjaftueshëm për të shkuar pas asaj që dëshiron dhe të mos e lërë të shkojë.
4. Ata nuk përpiqen të dëmtojnë të tjerët
Dëshira për të dëmtuar të tjerët lind vetëm kur ka diçka të pacaktuar ose të pazgjidhur brenda nesh. Në çdo rrethanë, qeniet njerëzore kanë nevojë për njëra-tjetrën; kjo sepse ne jemi qenie të ndërvarura. Një person emocionalisht i shëndetshëm e di këtë dhe për këtë arsye i sheh të tjerët si të barabartët e tij. I respekton dhe u jep një vlerë të caktuar, ashtu siç pret të respektohet dhe vlerësohet. Ai e di se bashkëpunimi dhe mirëkuptimi janë mënyrat për të arritur një jetë të plotësuar.
5. Ata i zgjedhin vetë miqtë e tyre
Një nga tiparet e njerëzve të fortë emocionalisht është se ata janë selektivë, se kë lejojnë në jetën e tyre. Ata e dinë se nuk mund t’ia hapin plotësisht dyert e zemrës askujt. Ata gjithashtu kuptojnë se një pjesë e mirëqenies së tyre varet nga cilësia e marrëdhënieve që kanë me të tjerët. Për këtë arsye refuzojnë lidhjet mbytëse, konfliktuale ose rraskapitëse. Përkundrazi, ata kërkojnë marrëdhënie të shëndetshme.
6. Nuk kanë frikë nga ndryshimi
Të mos kesh frikë nga ndryshimi është një shenjë e pagabueshme e forcës emocionale. Nëse jemi, ose nëse ndihemi të brishtë, gjëja normale është të përpiqemi të ndjekim rutinën tonë në mënyrë të rreptë, që të ndihemi të sigurt. Kështu ndihemi të mbrojtur, edhe pse kjo na privon nga një jetë e plotë. Kur e perceptojmë veten si njerëz të fortë emocionalisht, tek ne ndizet dëshira për të eksploruar, për të ndryshuar. Kjo është arsyeja pse kërkojmë përvoja të reja. Çdo gjë e re zakonisht prodhon një lloj frike, por në disa momente të jetës sonë është gjithashtu e vetmja mënyrë për të ecur përpara.
7. Nuk mund të ndikohen
Një person emocionalisht i fortë vë në dyshim informacionin që merr. Para se t’i pranojë si të vërteta, i analizon dhe i vlerëson. Nuk është i fiksuar ndaj tendencave të modës, as atyre fizike apo mendore të momentit.
Natyrisht kjo kërkon vetëbesim të mjaftueshëm. Por, mbi të gjitha, kërkon që secili prej nesh të dijë se çfarë është më e mira për veten tonë. Për këtë arsye, çdo gjë që zgjidhet dhe ndiqet nga shumica bëhet objekt shqyrtimi. / bota.al
BotaM