Gazetari i guximshëm Osman Stafa nxjerr mesazhet e mjekëve të Onkologjikut dhe paralajmëron kallëzim në SPAK. Ai shfaqet me një dosje të madhe në dorë, përpara këtij spitali dhe lexon disa nga mesazhet që mjekët i dërgojnë njëri-tjetrit në WhatsApp.
“Ky është komunikimi i radhës i mjekëve të Onkologjikut, të cilët flasin për terapi të cilat do të mungojnë 4 muaj. Flasin për ulje dozash për shkak të mungesave. Kjo është e papranueshme, është kriminale ajo çfarë është bërë mbi ata pacientë”, thotë ai.
Gazetari Osman Stafa ka nisur prej ditësh një seri publikimesh të mesazheve private që mjekët e Spitalit Onkologjik i dërgonin njëri-tjetrit në një grup të përbashkët, ku përtej turpit dhe mos kryerjes së detyrës, këta mjekë vendosin edhe për jetët e pacientëve me kancer.
“Nje dere mbyllet, hapen 2 te tjera”, shkruan mjeku onkolog me iniciale A.P, ndërsa kolegu i përgjigjet “Une jam ne stres se i kam dhe paciente qe nuk i njoh se jane relapse, por paciente qe nuk i kam trajtuar une me pare. Nuk di si t’i manipuloje qe u duhet kimio.”
Po ashtu, nga bisedat del dhe një fakt tjetër i turpshëm, sesi mjekët planifikojnë të përgjysmojnë dozat e nevojshme për trajtimin e pacientëve me kancer. Madje, ata i “qajnë” dhe hallin qeverisë, duke thënë se nuk mund t’i shpërndajnë ilaçet si t’ju dojë qejfi.
“Nuk do te filloni trajtimin pa me dhene mua emrat qe do te jene ne listën e pritjes. Buxheti është edhe çeshja jone tani sipas kontratave qe firmosim me fondin”, shkruan mjeku onkolog me inicialet B.K.
“Ne kohen e Zogut doktoret e mbanin ilaçet ne dollapin e tyre. Tani ilaçet e ka qeveria dhe nuk mund ti japim si te na doje qejfi”, vijon përsëri i njëjti doktor.