Lajme

Ish-mjeku i UÇK-së, promovon librin “Mjekësia e Bjeshkatarisë”

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dr. Ibish Ahmeti, ka promovuar librin që i kushtohet bjeshkatarisë.

Libri “Mjekësia e Bjeshkatarisë” është një doracak për mbrojtjen e të gjithë bjeshkatarëve dhe atyre që duan të vizitojnë bjeshkët.

Ai shtjellon masat praktike dhe teorike për mbrojtje nëse dikush pëson gjatë lëvizjes në bjeshkë.

Libri sjellë shembuj praktik të shoqëruar me fotografi dhe skica origjinale dhe përfshin disa disciplina mjekësore.

Recensentët e librit kanë thënë se përmbajtja e tij është shumë e mirëseardhur për të gjithë.

“Libri është i ilustruar me 50 fotografi të bukura të peizazheve të bjeshkëve tona. Si dhe e ka shoqëruar me disa skica me disa fotografi që në rast të dëmtimit, lëndimi dhe pastaj ka të gjitha këshillat sepse organizmi është sikur makinat. Po e ngarkove shumë, e prish motorin dhe këtu muskulatura e ka njëfarë pragu të ngarkesave. kështu që të gjitha detajet, të gjitha këshillat i ka dhënë në libër dr.Ibishi dhe me këto këshilla”, ka thënë Dr. Hysni Daka, recensent i parë i këtij libri.

“Unë jam shumë i sigurt që ky shekull është shekull i shqiptarëve në çdo aspekt. Edhe në bjeshkatari ka me qenë shekull i shqiptarëve. Për të qenë në atë nivel, ne duhet të përcjellim në shumë sfera përfshirë edhe shkencën e mjekësisë. Dhe normalisht për të pasur kuadro të forta duhen përgatitur përmes informacioneve dhe informacionet shkencore na i sjellin ekspertët e fushës”, ka deklaruar Dr. Kujtim Shala, recensent i dytë.

Ky libër është mirëpritur edhe nga Federata e Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit.

“Iniciativa e doktor Ibishit është shumë e mirëpritur nga komuniteti i bjeshkatarëve. Është një nismë që për herë të parë ka filluar nga doktor Ibishi dhe konsideroj se do të vazhdoj nga doktori apo nga pasionant tjerë të bjeshkatarisë që janë profesionist të fushës. Më herët të gjithë ata që kanë pasur dëshirë të jenë të informuar me mjekësinë bjeshkatare, kanë shfrytëzuar artikuj në gjuhë të ndryshme, qoftë serbo-kroate, angleze apo çfarëdo gjuhe, tani e kanë rastin që ta shfrytëzojnë këtë libër, i cili është i kompletuar duke i sjellë përvojat e shkencëtarëve”, ka thënë para të pranishmëve, Arianit Nikqi, kryetar i kësaj federate.

Autori i këtij libri, Dr. Ibish Ahmeti ka shpjeguar se pse bjeshkataria ka shumë rëndësi në shumë fusha dhe të gjitha ata që janë të apasionuar për vizitë bjeshkëve të vendit

“Bjeshkataria është edhe sport, është edhe kulturë edhe shëndet, por mbi të gjitha është atdhedashuri dhe atdhetarizëm. Unë mendoj se çdo banor, çdo shtetas i një vendi, i një shteti, duhet ta ndjejë për obligim ta mbroj vendin e vet, shtetin e vet dhe për ta mbrojtur vendin, duhet të duhet vendi. E për me dashtë vendin, duhet ta njohësh vendin, e për ta njohur, duhet të vizitohet. Ky libër ka disa këshilla, disa udhëzime, disa rregulla, njohuri elementare teorike dhe praktike, që ndihmojnë në parandalimin dhe evitimin e këtyre aksidenteve dhe me pasoja sa më të vogla”.

Libri “Mjekësia e Bjeshkatarisë” është i treti më radhë i publikuar nga doktor Ibish Ahmeti.

Ai ka të publikuar edhe librat “Doracat i Pediatrisë së Përgjithshme” dhe “Duke i shëruar plagët e luftës”.