Ishte paralajmëruar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të shpallte pushtimin e veriut të Kosovës në konferencën e mbajtur të premten. Por, ai popullit serb ia përcolli 7 kërkesa, të cilat i vlerësoi si parakushte të domosdoshme për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiq “në adresimin histork”, ka thënë se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për “problemin e Kosovës”.
“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t’u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiq në një fjalim drejtuar popullit serb, të paralajmëruar ditë më parë.
Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave, 7 kërkesat e Serbisë janë: Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe funksionet gjyqësore, tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zbatimin e garancive të BE dhe SHBA për lirimin e të burgosurve politikë serbë dhe kthimin e pagesave me valutën serbe dinar.
Fjalimin e presidentit serb, profesori për Studime Evropiane në Universitetin Johns, David Kanin, e sheh si “tërheqje” për audiencën e tij vendase dhe të jashtme.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, eksperti amerikan ka thënë se Vuçiq i zgjodhi me kujdes fjalët e tij, për të paraqitur komunitetin serb në Kosovë si të viktimizuar.
“Vuçiq i përdori komentet e tij për të tërhequr të gjithë audiencën e tij të huaj dhe vendas. Ai parashtroi kërkesa specifike, mbi të cilat Serbia mund të mbështetë politikat e saj ndaj Kosovës. Ai mohoi çdo qëllim për të pushtuar Kosovën dhe paralajmëroi ashpër se disa në Serbi po e shtyjnë atë për ta bërë këtë. Ai edhe një herë i karakterizoi përpjekjet e Kosovës për të vendosur sovranitetin e saj në veri si agresion kundër një komuniteti serb të viktimizuar. Vuçiq i zgjodhi fjalët e tij me kujdes për t’u paraqitur si burrë shteti dhe kryembrojtësi i serbëve kudo që janë”, është shprehur analisti.
Ai ka përmendur edhe marrëveshjen mes Serbisë dhe Francës për litiumin, duke thënë se me këtë Vuçiq po ndërton diplomaci të suksesshme.
“Ai gjithashtu po ndërton mbi diplomacinë e tij të suksesshme të litiumit dhe marrëdhëniet në rritje me Emmanuel Macron. Me rusët dhe amerikanët të fokusuar në Ukrainë dhe zgjedhjet në SHBA, Vuçiq mund të paraqitet si një lider evropian dhe hero kombëtar në të njëjtën kohë”, ka pohuar Kanin për “Bota sot”.
Ndërsa, nga ana tjetër, sipas profesorit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po paraqitet si ngatërrestar në sytë e ndërkombëtarëve.
“Ky qëndrim qëndron në kontrast me optikën ndërkombëtare rreth statusit të perceptuar të Albin Kurtit si një ngatërrestar i papëlqyeshëm (nga jashtë vendit)”, ka shtuar David Kanin.