Me moton globale “Qeverisja efektive e inteligjencës artificiale në të gjitha nivelet”, Kuvendi i Kosovës nesër shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Ceremonia e hapjes do të fillojë në orën 10:00, me pjesëmarrjen e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, drejtoreshës së lartë rezidente të NDI-së në Kosovë Nancy Soderberg, Blerta Deliu-Kodra anëtare e Forumit për Transparencë.
Me këtë rast do të organizohen disa aktivitete si Panairi i organizatave të shoqërisë civile, Kuizi i demokracisë, tryeza e diskutimit “Zgjedhjet dhe teknologjia”, Punëtoria për demokraci dhe paneli i diskutimit “Sporti dhe demokracia: Një vizion i ri për të ardhmen”.
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë u krijua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2007 për të promovuar dhe forcuar vlerat demokratike.
Qe nga fillimi i saj në vitin 2008, qindra ngjarje janë mbajtur në mbarë botën për të shënuar këtë ditë të rëndësishme. Nga konkurset e fotografive deri te punëtoritë për fëmijë, debatet e drejtpërdrejta te telefonat në radio dhe takimet me organizatat e shoqërisë civile, kreativiteti dhe entuziazmi kanë qenë frymëzues.
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë i ka rrënjët në procesin e Konferencave Ndërkombëtare për Demokracitë e Reja dhe të Rivendosura (ICNRD), e cila filloi në vitin 1988 nën iniciativën e presidentit Corazon C. Aquino të Filipineve. Ky proces kishte për qëllim promovimin dhe mbështetjen e demokracive të reja dhe të rivendosura në mbarë botën.
Në vitin 1997, Unioni Ndërparlamentar (IPU) miratoi Deklaratën Universale për Demokracinë, e cila afirmon parimet e demokracisë dhe ushtrimin e saj. Kjo deklaratë shërbeu si bazë për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Tema e këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë është “inteligjenca artificiale si një mjet për qeverisje të mirë”, me fokus në sigurimin e qeverisjes efektive të inteligjencës artificiale në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe atë ndërkombëtar, për të shfrytëzuar përfitimet e saj duke zbutur rreziqet e saj.