Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, kanë thënë se dëshmitari do të dëshmojë në seancë të mbyllur dhe prokurori do të lexojë një përmbledhje të provave.
Ndryshe në këtë rast gjyqësor Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se Trupi Gjykues ka pranuar dëshmitë dhe provat materiale shoqëruese me shkrim të 9 dëshmitarëve në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Që të katër janë të akuzuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër tyre ishte konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020, ndërkaq aktakuza që është në fuqi ishte dorëzuar më 27 shkurt të vitit të kaluar.