Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova e ka vlerësuar si qasje të njëanshme deklarimet e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano i cili duke folur për “kërkesat” e Vuçiqit për Kosovën tha se mirëpret gatishmërinë e serbëve për t’u kthyer në institucione.
Ai ka thënë se BE ka qenë e një anshme në dialog.
Rugova ka pyetur se për çfarë dialogu mund të flitet kur i njëjti Vuçiq mbështeti sulmin në Banjskë.
“Është një qasje e një anshme. Në qoftë se është i njëjti Vuçiq që mbrojti sulmin në Banjska.. atëherë për çfarë niveli dhe cilësie të nivelit negociator po diskutojmë”, tha ai në emisionin “InfoNata”.
“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, ka thënë Stano.
Rugova ka shprehur besimin se me udhëheqjen e re të BE-së do të ketë qasje tjetër në dialog i cili do të përfundojë me njohje reciproke.
“Dua të besoj fuqishëm në një ristrukturim, në një agjendë tepër substanciale, praktike dhe racionale e me alternativa të jetësimit apo zbatimit dhe krejt në fund të realizmit të kësaj marrëveshje e cila duhet të përfundojë me njohje reciproke mes dy vendeve”, tha ai.