Lajme

Kush ia vuri flakën shtëpisë së ndërtuar nga Qeveria në veri?

Në orët e para të mëngjesit një shtëpi e rindërtuar nga Qeveria e Kosovës është përfshirë nga zjarri pasi persona ende të paidentifikuar për Policinë e Kosovës, kanë hedhur një koktej molotovi në drejtim të shtëpisë ku është dëmtuar dera dhe xhamat e shtëpisë. Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se do të bëhet sanimi i dëmeve ndërsa ka kërkuar që kryerësit të dalin para drejtësisë. E nga policia e Kosovës thanë se rasti po cilësohet nxitje e urrejtjes, zjarrvënie e qëllimshme.

Punimet veçse janë në përfundim e sipër.

E si kjo shtëpi janë edhe dhjetëra të tjera të cilat i ndërtoi qeveria e Kosovës së fundi.

Por të martën dikujt i pengoi ky investim nga institucionet e shtetit për rindërtimin e shtëpive në veri të Mitrovicës, meqë hyrja e kësaj shtëpie u dogj siç ka mësuar televizioni, nga disa persona që erdhën nga pjesa e Zveçanit.

Për këtë rast reagoi gjatë ditës edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili tha se kryerësit e këtij akti duhet të dalin para drejtësisë.

“Ne do ta bëjmë sanimin e këtij dëmtimi, ndërkaq ata të cilët e bënë këtë trig, këtë krim me këtë koktej molotovi padyshim që do të ndiqen nga organet e Republikës së Kosovës” , tha Kurti.

Një banor i kësaj lagjeje që është përfitues për rindërtimin e shtëpisë nga qeveria, tha për televizionin se ishte i pari që e vërejti tymin duke dalë, por që sipas tij kjo nuk do t’i zmbrapsë për t’u kthyer dhe jetuar në veri.

“Me mëngjes edhe dëgjova edhe erdhe menjëherë mëngjes thash te kqyri cfarë ka ndodhur me këtë rastin e eksplodimit që e kanë bërë në mëngjes, thash t’rri ksajde. Këto janë akte të shumturara të cilat po vazhdojnë përsëri me ndodh por për neve si qytetar të Mitrovicës që kemi qenë këtu nuk na trembin këto gjëra, kështu që ne do të vazhdojmë. Është kënaqësi që sot po vazhdojnë edhe shtëpitë tjera me u ndërtua”, tha banori – Bashkim Rafuna.

Për Policinë ende nuk ka persona të dyshuar, e rasti po cilësohet nxitje e urrejtje dhe zjarrvënie e qëllimshme.

“Ne dyshojmë që është zjarrvënie sepse është gjuajtur me koktej molotovi në derën e hyrjes së një shtëpie e cila është rindërtuar, policia ka hasë në tymë edhe pastaj kur është afruar e ka vërejtur derën në zjarr, me aparatin për fikjen e zjarrit e kanë fikur nuk ka dëme të tjera përvec derës e cila është dëmtuar aty. Ka qenë shtëpi e pa banuar”, tha zëvendësdrejtori i policisë për veriun e Kosovës, Veton Elsani.

Për këtë veprim, reagim pati edhe nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i cili e ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq që sipas tij, po nxit serbët në veri për të krijuar tensione.

Djegien e shtëpisë e ka dënuar edhe kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq.