Lajme

Hapja e urës së Ibrit/ Ish-deputeti ‘befasohet’ me shtetet e QUINT-it, ja çka thotë për Serbinë hegjemoniste!

Ish deputeti i Kosovës, Driton Tali është deklaruar për temën e cila është mjaftë aktuale kohën e fundit, ajo e hapjes së urës së Ibrit.

Ai mendon se është gabim që nga partitë e Kosovës, hapja e urës mbi lumin Ibër për trafik të shikohet nga aspketi i votave.

Gjersa nga pikëvështrimi i miqëve tanë nga KQUINT-i, sipas tij, kjo saga e hapjes së urës është krejt e pakuptimtë.

“Kjo sepse një urë, moti e hapur për këmbësorë, si mund të shndërrohet në rrezik nëse hapet edhe për trafik?! Pa e përmend faktin se disa qindra metra më tujte ke urë të hapur për trafik që lidhin dy pjesët e qytetit. Pra, nëse trafiku mbi urë do e destabilizonte atë pjesë, atëherë urat e hapura për qarkullim trafiku moti do e bënin atë”, thotë Tali.

Sa i përket aspektit politik të “kësaj Serbie hegjemoniste”, Tali thotë se e ka të qartë, se ajo urë e shihet nga dy pikëvështrime.

“Një si kufi ndarës të Kosovës dhe e dyta si vijë ndarëse (nëse jo kufi ndarës) nga ku mund të influencojë destabilizimin e Kosovës nëpërmes strukturave dhe mekanizmave të saj. Por nuk e kam të qartë qasjen e QUINT-it? Sepse QUINT-i publikisht e pati refuzuar ndarjen e Kosovës d.m.th., për ato shtete Republika e Kosovës është brenda kufijëve ekzistues mbi të cilat e kanë njoftë pavarësinë e saj. Dhe po ashtu në interes të QUINT-it është që Kosova të integrohet duke i funksionalizuar institucionet e veta shtetërore si nevojë bazike për zhvillimin ekonomik dhe përmisimin e standardit jetësor të qytetarëve – e këto të fundit elemente të domosdoshme të sigurimit të paqës dhe harmonisë njerëzore”, potencon Tali.

Andaj, ish-deputeti thotë se, për të është nonsense çdo prolongim i hapjes për trafik të asaj ure.

“Për më tepër argumenti se “hapja e urës është anti politikave të UE-së”, që jo rrallë dëgjohet, është krejtësisht groteske. Urat që i bashkojnë njerëzit, që i lidhin tregjet, e që e lehtësojnë lëvizjën e kapitalit dhe mallrave hapja e tyre nuk mundet me qenë asnjëherë anti UE por e kundërta. Edhe kërcënimi me “turbullira politike” nga ana e komunitetit serb, është i kotë. Nuk besoj se do të ketë tensionime për faktin se nga hapja për trafik të asaj ure më së shumti do të përfitojë komuniteti serb që jeton në atë pjesë të vendit tonë”, thotë ai.

“Shih për këto arsye që i ceka unë pres që QUINT-i së shpejti të reflektojë, dhe do të doja që të paktën partitë politike për shkak të zgjedhjeve mos ta shndërrojnë në garë për vota këtë çështje”, përfundon ish-deputeti i Kosovës, Driton Tali.