Lajme

Qalaj: Ka masa edhe ndaj Policisë së Kosovës si pasojë e vendimeve të Qeverisë

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, thotë se aleatët janë duke shprehur pakënaqësi në raport me vendimet e Qeverisë së Kosovës të implementuara nga Policia e Kosovës.

Ai tha se tashmë kanë nisur edhe pasojat e masat e para për Policinë e Kosovës, ku përmend faktin se në ceremoninë e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Policisë nuk ka qenë prezentë asnjë ambasadorë, përveç ai i Shqipërisë dhe OSBE-së.

“I kam parë reagimet e ambasadorëve amerikanë që kanë qenë direkt kundër Policisë së Kosovës dhe kjo u manifestua edhe me mungesën e ambasadorit amerikan në shënimin e 25-vjetorit të Policisë së Kosovës dhe ambasadorëve të tjerë të QUINT-it. Në shënimin e 25-vjetorit ka qenë vetëm ambasadori i OSBE-së dhe i Shqipërisë, asnjë ambasadorë tjetër”, tha ai  në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Madje, ai tha se ka kohë që Policia e Kosovës s’ka pasur trajnime me aleatët.

“Policia e Kosovës ka kohë që nuk është duke dërguar asnjë person në trajnim në Qendrën George Marshall në Gjermani, nuk ka eprorë të Policisë së Kosovës që dërgohen për trajnime në FBI. Pra, janë një mori masash, të cilat publiku nuk i dinë, por që janë duke ndodhur si rezultat i një pakënaqësie që është duke shprehur shteti amerikan në raport me vendimet e Qeverisë së Kosovës të implementuara nga Policia e Kosovës”, deklaroi ai./teve1.info/