Incidenti me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit, u shkaktua me qëllim që të anulohet vizita e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, u shpreh zëvendëskryeministri Arben Fetai duke lënë të kuptohet që Kurti nuk erdhi për Vjosa Osmanin ashtu siç u raportua.
Zëvendëskryeministri për politika dhe sundim të mirë, Arben Fetai, në një intervistë për gazetën “Lajm”, tha se menjëherë pas formimit të Qeverisë së re, pati disa tentativa për destabilizimin e vendit.
“Në këtë 75 ditësh që po e lëmë pas ka patur disa përpjeke për destabilizim.
E para ishte transiti i presidentes së Republikës së Kosovës në aeroportin e Shkupit, transit i cili u karakterizua me tensione të shumta, siç kemi dëgjuar në media, që sipas meje ishte një përpjekje për të ndikuar në anulimin e vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në vendin tonë, që ishte vizita e parë e një kryeministri në vendin tonë”, tha Fetai.