Lajme

Osmani: Nëse dikush bën dialog me Serbinë për Urën e Ibrit, e shkel sovranitetin dhe Kushtetutën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar qasjen e Brukselit për sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.

E para e shtetit tha se për takimin e djeshëm në Bruksel, duhet pyetur kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, se për çfarë tema është dakorduar.

Ndërkohë, tha se kushdo që bën dialogon për Urën e Ibrit me Serbinë shkel sovranitetin dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Nëse dikush bën dialog për Urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit, Kushtetutës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, tha Osmani dje në konferencë për media.

Tutje, ajo tha se tema e Urës së Ibrit duhet të dialogohet me partnerët e sigurisë së Kosovës, pasi sipas saj, edhe vetë marrëveshjet e Brukselit e kërkojnë një gjë të tillë.

“Mbi të gjitha është interes i Kosovës që të punojmë me partnerët tanë të sigurisë, ta kemi këtë plan, i cili pastaj të zbatohet dhe kur të hapet ura, do të jetë vendim i qëndrueshëm që nuk do të mund dhe nuk do të duhej të sfidohej nga askush”, tha ajo.