ShowBizzz

DETAJE TË RËNDA nga seanca/ Akuza për trafik dhe abuzim se*ksual, lihet në burg Diddy, i drogonte dhe i detyronte gratë të angazhoheshin edhe me të tjerë

Sean “Diddy” Combs është urdhëruar të mbahet në qeli në çështjen e ngritur kundër tij për trafikim dhe dhunë seksuale.

Gjykatësja Robyn Tarnofsky e mori vendimin të martën pasi dëgjoi argumente të gjata nga prokurorët dhe avokatët e të pandehurit Combs.
Sean “Diddy” Combs ishte në krye të një perandorie krimesh seksuale, duke abuzuar me gratë prej vitesh, duke i kërcënuar ato për t’i mbajtur nën kontroll dhe duke përdorur ndihmesat e tij për t’i mbuluar këto veprime, thuhet në një padi të bërë publike të martën.

Ai u angazhua në mënyrë të përsëritur dhe të gjithanshme në abuzimin e grave dhe të individëve të tjerë”, duke përdorur ndër të tjera edhe dhunën seksuale, me qëllim “përmbushjen e dëshirave të tij seksuale, mbrojtjen e reputacionit të tij dhe fshehjen e shkeljeve”, thuhet në akuzë.

Ai thuhet t’i ketë detyruar gratë viktima dhe persona të tjerë të merrnin pjesë në aktivitete seksuale që zgjasnin ndonjëherë edhe gjatë një dite të tërë. Padia përmend edhe sulmin e tij ndaj ish-të dashurës, këngëtares së muzikës R&B, Cassie, që u filmua nga kamerat.

Combs u arrestua mbrëmjen e së hënës në Manhatan, rreth gjashtë muaj pasi autoritetet federale bënë një hetim për trafikim seksual, duke bastisur edhe rezidencat e tij luksoze në Los Anxhelos dhe Majami. Ai u paraqit pasditen e së martës në gjykatë, ku kishin mbërritur për të ndjekur procesin gjyqësor edhe tre djemtë e tij.

Prokurorët kërkuan mbajtjen e tij në burg deri në zhvillimin e gjyqit. Avokati i tij, Marc Agnifilo, tha përpara ndërtesës së gjykatës të martën se do të luftonte që ai të lihej në gjendje të lirë dhe se Combs është i pafajshëm dhe se do të vetëdeklarohet i tillë. Combs deklaroi në gjykatë se ishte i pafajshëm.

Akuza e cilëson Combs, themeluesin 54-vjeçar të kompanisë “Bad Boy Records”, si drejtues të një organizate kriminale që angazhohej në trafikim seksual, punë të detyrueshme, transport ndërmjet shteteve të ndryshme për qëllime prostitucioni, shkelje me drogat, pengmarrje, zjarrvënie, dhënie ryshfeti dhe pengim të drejtësisë.

Ai akuzohet se i godiste, i qëllonte me grusht dhe i tërhiqte gratë zvarrë, se u hidhte objekte dhe i shkelmonte ato, dhe se detyronte ndihmesat e tij, personelin e sigurisë dhe të mirëmbajtjes së shtëpisë që ta ndihmonin për t’i mbajtur këto veprime të fshehta.

“Provat për këtë rast janë jashtëzakonisht të fuqishme”, shprehen prokurorët në një dokument, ku kërkojnë masën e sigurisë me burg. Ata thonë se kanë intervistuar mbi 50 viktima dhe dëshmitarë dhe se mendojnë se ky numër do të rritet.

Combs dhe bashkëpunëtorët e tij përdorën “fuqinë dhe prestigjin” e tij për të frikësuar dhe për të joshur gratë që të bëheshin pjesë e rrethit të tij, “shpesh duke e shitur si një marrëdhënie romantike”, thuhet në padi.

Sipas akuzës, ai në vazhdim përdorte forcën dhe kërcënimin për t’i detyruar gratë të angazhoheshin me meshkuj të tjerë, për të realizuar skena seksuale që Combs i planifikonte vetë dhe i drejtonte. Shpesh ai i filmonte këto skena dhe ka krijuar dhjetëra video me to.