Lajme

Transporti ne kryeqytet, Rama tregon ndryshimin që do të bëhet nga 1 janari për operatorët privatë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë detaje rreth reformës së transportit publik në kryeqytet.

Rama ka thënë se janë mbi 5 milionë euro fonde për trafikun urban dhe operatorët privatë. Për operatorët privatë, Rama ka thënë se duke filluar nga 1 janari 2025, ata do ta kenë pagesën për kilometër, jo me bileta, raporton Express.

“E kemi një numër të madh të fondeve të ndara edhe për trafikun urban. I kemi më shumë se pesë millionë euro për trafikun urban dhe operatorët privatë Tash trafikun urban në këtë javë do të t’i nënshkruajmë edhe kontratat me operatorët privatë, ku ka me iu mundësu atyre me e ngrit nivelin e shërbimeve ndaj qytetarëve duke i blerë autobusët e rinj edhe prej 1 janari të vitit të ardhshëm kanë me pas pagesën për kilometër, jo me bileta. Biletat do ti kemi ne, do ti digjitalizojmë dhe kryeqyteti do të jetë ai që do t’i merr këto bileta drejtpërdrejtë”, ka deklaruar Rama në seancën për miratimin e buxhetit për vitin 2025.

Sipas tij, shërbimi për qytetarët do të lehtësohet.

“Shërbimi për qytetarët ka me qënë i lehtë sepse nuk kanë nevojë me i ble dy bileta, por një edhe për ata që operojnë privatë edhe për trafikun urban”, ka thënë Rama.