Top Channel do të sjellë një tjetër emision të ri këtë sezon televiziv, i cili do të ngjallë interes të madh.
“S’e kam me ty” është titulli i programit të prezantuar nga Zhaklin Lekatari dhe Jonida Aliçkolli, që do të debutojë së shpejti në ekran.
Ky format do të zgjasë dy orë dhe do të fokusohet tek përvojat njerëzore, duke synuar të ofrojë jo vetëm argëtim, por edhe frymëzim për publikun.
Sipas Zhaklinës, ideja kryesore e emisionit është të sjellë histori të vërteta dhe të ndihmojë në fuqizimin e njerëzve për të përballuar sfidat e jetës.
“Ne duam të prekim tema që prekin jetën e përditshme të secilit dhe t’u ofrojmë hapësirë njerëzve të tregojnë eksperiencat e tyre,” tha ajo.
Emisioni do të përfshijë intervista, humor, por gjithashtu do të hapë diskutime për tema të ndjeshme, përfshirë edhe çështje seksuale, një temë shpesh e pranishme në debatet që Lekatari ndan me ndjekësit e saj.
Çfarë e bën programin unik është përfshirja e publikut, i cili do të ketë mundësinë të dërgojë pyetje dhe të propozojë tema për diskutim. Duke bashkëpunuar me ekspertë në studio, emisioni synon të trajtojë çdo çështje në mënyrë të thellë dhe profesionale.
Nëse jeni kureshtarë për datën e nisjes, ende nuk është bërë publike, por një gjë është e sigurt: “S’e kam me ty” do të sjellë një dimension të ri në televizionin shqiptar.
lokimagazine