Analisti politik, Albinot Maloku, konsideron se aplikimi i Kosovës për anëtarsim në Bashkimin Evropian nuk e ka kaluar as zyrën e parë.
Sipas Malokut, Bashkimi Evropian as nuk i kushtoi vëmendje kësaj çështjeje dhe si pasojë Kosova ka mbetur pa pyetësorin dhe pa nisjen e procedurave për anëtarësim.
“Konsideroj se pozicioni i Kosovës në këtë çështje është vetëm dorëzimi i një aplikacioni, i cili unë kam frikën se nuk e ka kaluar as atë zyrën e parë ku janë dorëzuar ato kërkesa. Bashkimi Evropian nuk është se i dha fare vëmendje kësaj cështje. E konsideruam që në krye të herës, si një tregim me fakte i vullnetit të Kosovës për anëtarësim në BE, mirëpo nuk është se pati nga pala tjetër angazhim në këtë çështje dhe Kosova po mbetet pa pyetësorin, pa nisjen e procedurave, e pa gjitha ato rrethanat që duhet t’i kalojë një vend për anëtarësim”, ka thënë Maloku në emisionin “Ditari” në tëvë1.
Megjithatë, Maloku, beson se ky aplikim nuk do të mbetet vetëm në sirtar, dhe se administrata e re e BE-së do të ketë një konkretizim të kësaj çështjeje.
“Tani me administratën e re të Bashkimit Evropian, do të duhej sidomos që përfaqësuesja e lartë të ketë një angazhim më të konkretizuar për Bashkimin Evropian dhe Kosova në këtë konkretizim të fitojë, por që përfitimi gjithsesi shkon edhe me nevojën që një vend i vullnetshëm për të qenë pjesë e BE-së, duhet t’i kalojë testet e veta, fazat e veta, që të plotësojë ato kriteret që parashtrohen dhe ne nuk jemi askund në këtë proces”, ka shtuar ai./teve1.info/
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 15 dhjetor të vitit 2022 kishte dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Aplikimi i ishte dorëzuar Çekisë e cila në atë kohë ishte kryesuese e BE-së. Kurti dorëzimin e aplikimit e kishte vlerësuar ditë historike.