Naim Dakaj, pronar i një seperacioni e gurëthyesi në Pejë, nuk po operon që 3 vite. Shkak për këtë është se nuk ka marrë ende licencën nga Komisioni për Miniera dhe Minerale. E kryetari i Komisionit për Ekonomi thotë se bordi i KPMM-së tash e katër muaj nuk ka punuar fare, derisa shton se janë të ndikuar politikisht.
Të gjitha mjetet e duhura i ka në dispozicion.
Por asnjë nga to, Naim Dakaj tash e tri vite nuk po i vë në funksion.
Kjo për shkak se atij ende nuk i është dhënë licenca nga Komisioni për Miniera dhe Minerale.
Pronari i këtij seperacioni, Naim Dakaj dhe gurëthyesi nga Peja, thotë se gjatë këtyre viteve i është vështirësuar edhe jetesa.
“Kemi që një informatë sna japin bordi i KPMM-së asnjë informatë as që po bëhet as që spo bëhet. Kështu që nuk po kemi as kah me shku, kemi mbetë kështu qe, dy djem i kam më kanë shku në Francë, janë duke punu atje na jemi siç pe shihni edhe vetë këtu jemi që tri vite”, tha ai.
Ai tregon se është detyruar ta shesë një pjesë te biznesit për mbijetesë, derisa ka një apel për Qeverinë e Kosovës.
“Një kërkesë ndaj KPMM-së që të na jep një informatë, që ni vjet gati dy po bëhen që nuk kanë as bord, u formu bordi po a janë duke punu a s’janë nuk e di, skemi kurrfarë informate prej tyre… Ne e kemi pasë edhe bazën e betonit por deri në muajin e nëntë kemi leje hala, po na u ka dashtë me e shitë puna që s’na kanë leju me punu lëndën e parë të zhavorit nuk e kemi dhe jemi detyru për arsye me ekzistu”, u shpreh Dakaj
E kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala thotë se gjithë këto veprime po bëhen për shkak të presioneve politike nga Qeveria.
“Bordi dmth po punon me neglizhencë të madhe, paragjykim dhe selektim duke i selektuar kompanitë pro pushtetit dhe kundër pushtetit. Ky është rasti më ekstrem që ndonjëherë bordi merr vendim dhe jashtë radhës që përcakton ligji trajton lëndë të cilat nuk janë në radhë”, u shpreh Shala.
Deputeti opozitar theksoi se javën e ardhshme do të jenë për raportim anëtarët e këtij bordi.
“Do të ballafaqohemi me argumentet dhe me shkeljet ligjore të cilat ky bord me dëm të madh për ekonominë e vendit e veçanërisht për industrinë dhe ne sot pothuajse e kemi në kolaps tërë industrinë nxjerrëse dhe minerare si rezultat i keqmenaxhimit dhe inspektimit nga institucionet që do duhej të ishin në krye të detyrës”, thotë ai.
Tëvë1 ka kërkuar të marrë edhe një qëndrim nga partia në pushtet, mirëpo kanë qenë të paqasshëm.