Lajme

Spikeri Mustafë Muçaj tregon live situatën e tij në 25 vjetorin e RTK’së – shpreson ta vazhdojë punën

Një situatë e rrallë është shënuar në 25-vjetorin e themelimit të RTK-së. Folësi i lajmeve, Mustafë Muçaj, ka shprehur dëshirën për vazhdimin e punës, por atij në RTK i është thënë se nuk ka buxhet për ta paguar, kësisoj Muçaj që punon që nga themelimi aty situatën e ka treguar drejtpërdrejtë në TV.

Para përmbylljes së paraqitjes ku ishte i ftuar për 25 vjetorin e RTK-së Muçaj shpjegoi rastin e tij duke thënë se po trajtohet si “tepricë teknologjike”.

“Në situatën buxhetore të RTK-së, si të them – jo viktimë, por një tepricë teknologjike karshi mosmundësisë së televizionit për të paguar punën time si spiker i lajmeve, ju falënderoj shumë. Shpresoj që Radio Televizioni të konsolidohet dhe të vazhdojë punën në këtë 25 vjetor, gjitha të mirat televizionit, të gjitha të mirat Kosovës”, tha Muçaj drejtpërdrejt në RTK.