Lajme

Ministri Maqedonci: Ekziston rreziku i përsëritjes së skenarit të Banjskës – s’ia kemi frikën kërcënimeve të Serbisë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se derisa grupi i terroristit Millan Radoiçiq endet i lirë në Serbi, gjithmonë ekziston rreziku që të përsëritet një skenar sikurse ai i Banjskës vitin e kaluar.

Maqedonci tha se duke pasur parasysh që grupi që drejtohej nga Radoiçiqi ka ikur në Serbi, rreziku brenda territorit të Kosovës që një grup i tillë të organizohet për ndonjë sulm të mundshëm terrorist është zvogëluar.

“Duke pasur parasysh që pas sulmit të 24 shtatorit pjesa më e madhe e grupit që drejtohej nga Radoiçiq janë larguar për në Serbi, normalisht rreziku brenda territorit tonë është zvogëluar. Por gjithmonë mbetet rrezik mundësia që grupe si grupi Radoiçiq, dhe vetë grupi Radoiçiq të zhvilloj ndonjë aktivitet të ngjashëm terrorist me synime politike, gjithmonë i mbështetur nga strukturat në Serbi”.

“Përderisa grupi i Radoiçiqit dhe grupet tjera kriminale dhe terroriste qarkullojnë të lira në Serbia, për më tepër trajnohen dhe zhvillojnë aktivitetet atje, vlerësojmë që prapë mund të ketë rreziqe të ngjashëm. Por gjithashtu duhet theksuar edhe fakti që tani më janë krijuar shumë parakushte që kjo të mos ndodh dhe këto parakushte janë krijuar nga institucionet tona por edhe nga prezenca e shtuar e trupave të KFOR përgjatë vijës kufitare me Serbinë”, tha Maqedonci.

Tutje, ai tha se kohët e fundit është vërejtur një shtim i numrit të ushtarëve të KFOR-it, sidomos në brezin kufitar me Serbinë, e që sipas tij, kjo është bërë pikërisht për të penguar futjen e grupeve sikurse ai i Radoiçiqit në Kosovë.

Maqedonci më tej foli edhe për forcimin e Ushtrisë së Kosovës, duke thënë se këtë po e bëjnë për ta mbrojtur integritetin territorial dhe qytetarët.

“Ky fuqizim na bënë që më të vërtet të mos ndjejmë frike përballë këtyre kërcënimeve por gjithmonë të jemi të matur dhe të kujdesshëm që ne të zhvillohemi, organizohemi dhe fuqizohemi për nevojat e mbrojtjes së vendit tonë”, tha ai.