Lajme

Biznesmeni Selver Xhelili viziton ShBA-të, takohet me djalin e Trumpit

Biznesmeni nga Gjilani, Selver Xhelili është takuar me Eric Trump, djalin e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë një vizite që zhvilloi në ShBA këtë javë.

Gjatë vizitës përtej oqeanit atlantik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Xhelili takoi biznesmenë dhe liderë politikë amerikanë, njoftoi ai në një shkrim në rrjetet sociale.

“Vizita ime në SHBA, ku pata mundësinë të takohem me biznesmenë dhe liderë politikë amerikanë, tregon për rëndësinë e investimeve amerikane në Kosovë dhe përfitimet që ato sjellin për zhvillimin e vendit tonë”, tha Xhelili.

Në mesin e takimeve, ai pati mundësi të diskutonte edhe me Eric Trump.

“Gjatë takimeve, diskutuam mbi potencialin e madh që ofron Kosova si një destinacion për investime, duke theksuar burimet tona natyrore, fuqinë punëtore të re dhe një ambient të favorshëm për biznes. Bashkëpunimi me investitorët amerikanë është jetik për të ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Xhelili.

Xhelili, i cili është një investitor nga Kosova në bregdetin shqiptar, tha se bizneset amerikane jo vetëm që sjellin kapital, por gjithashtu njohuri dhe teknologji që ndihmojnë në rritjen e standardeve të punës dhe cilësisë së shërbimeve.

“Marrëdhëniet e forta me SHBA-në, të forcuara nga takimet e mia dhe të kujtdo tjetër që mund të bëhen në vazhdimësi, janë një tregues i qartë se investitorët amerikanë janë të interesuar të kontribuojnë në prosperitetin e Kosovës. Ky angazhim i biznesmenëve amerikanë është një garanci e rëndësishme për stabilitetin dhe rritjen ekonomike të vendit”.

Xhelili u shpreh se vizita e tij në ShBA “është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve me investitorët amerikanë dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim ekonomik në Kosovë.”