Lajme

Jep dorëheqje kryetari i degës së LVV-së në Drenas, Lladrovci: Mirë se vjen baxhë

Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje “Dega 2” në Drenas, Naim Qorri, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.

Qorri tha se po jep dorëheqje nga VV-ja bashkë me dhjetëra delegatë të degës dhe aktivistë të qendrës së VV-së në Drenas, të cilët sipas tij, kanë kontribuar me gjithë potencialin e tyre në këtë parti.

“Me këtë shkrim, ju njoftoj për dorëheqjen time nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Pas një rrugëtimi të gjatë si aktivist, marr këtë vendim në shenjë zhgënjimi dhe mospajtimi me zhvillimet e fundit në Qendrën e Lëvizjes në Drenas. Kohët e fundit, kemi përjetuar situata të padurueshme, aspak demokratike dhe denigruese nga udhëheqja e qendrës sonë, veçanërisht nga Qendra në Prishtinë me në krye Enver Dugollin”.

“Kryetarja Egzona Tërdevci, që nga ardhja e saj në krye të degës sonë, ka instaluar një sjellje jo të shëndetshme në lëvizje, dhe së bashku me Enver Dugollin kanë punësuar individë në ndërmarrje publike dhe ministri të ndryshme në mënyrë të pandershme. Këta dy individë morën degën me 6000 vota në zgjedhjet qendrore, dhe për herë të parë morëm pesë asamblistë në zgjedhjet lokale. Megjithatë, për shkak të mos trajtimit të duhur të kërkesave, dy prej tyre tashmë nuk janë më pjesë e Lëvizjes”, shkroi Qorri.

Më tej, Qorri tha se Tërdevci e Dugolli mbajnë përgjegjësi për humbjen e imazhit të degës së VV-së në Drenas dhe humbjen e mbi 70 për qind të anëtarësisë.

“Zonja Egzona Tërdevci dhe zoti Enver Dugolli mbajnë përgjegjësi për: Humbjen e imazhit të degës dhe mbi 70% të anëtarësisë; Manipulimet me punësime në ndërmarrje publike dhe emërime politike të personave jo meritorë;  Mos trajtimin e kërkesave të kryesisë, që ka sjellë humbjen e dy asamblistëve të votuar në Lëvizje, duke lënë vetëm tre nga pesë që kishim, dhe një prej tyre është gjithashtu në dilemë;  Ndikimin e tyre në pronat publike të Drenasit, që janë dhënë në shfrytëzim tek të afërmit e ish-asamblistit të VV-së, përfshirë Stacionin e Trenit; Mosfunksionimin e zyrës në Drenas dhe mungesën e aktivitetit koherent”.

E mbi postimin e Qorrit për largimin e tij nga VV-ja, kryetari i Drenasit, Ramiz Ladrovci, ka shkruar “mirë se vjen baxhë… Bashkë për Drenasin”.