Lajme

Pse u intervistua nga Prokuroria Dejona Mihali?

Koordinatorja e komiteteve në partinë e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali është thirrë për intervistim të premten në ora 09:30 të mëngjesit. Intervistimi i saj zgjati 4 orë për  cka Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë detaje por vetëm ka konfirmuar intervistimin e Mihalit. Koordinatorja e LVV-së pas përfundimit të intervistimit ka thënë shkurtimisht se ishte aty për të “zbardhur të vërtetën” ndonëse e ka mohuar se ky intervistim lidhet me ngjarjet e fundit në KEK.

Herët në mëngjes iu përgjigj ftesës.

Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në LVV, të premten u paraqit në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Pas intervistimit katër orësh në Prokurori, ajo nuk ka dashur të jap detaje por shtoi se ishte aty për “zbardhjen e të vërtetës”.

Se cila është ajo e vërtetë, Mihali ka rekomanduar të pyetet prokuroria.

Ajo ka mohuar se ishte në intervistim për rastin e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, për të cilin është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Nga prokurori u intervistova për ta zbardhur të vërtetën”, tha Mihali pas intervistimit.

Prokuroria Speciale me herët njoftoi se sot Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të tyre.

Sipas njoftimit, e njëjta ishte duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori i ka në hetim.

E pas përfundimit të intervistimit erdhën edhe reagimet nga partitë opozitare.

I pari ishte Ramush Haradinaj i cili në rrjetin social Facebook, ka shkruar se intervistimi i saj lidhet me dyshimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Po i ngushtohet rrethi Mafisë Energjetike. Veprimet e fundit të drejtësisë në Kosovë po i japin shpresë popullit për fuqinë e ligjit mbi të gjithë. Mafia Energjetike duhet të përballet me ligjin. Shteti ligjor dhe demokracia nuk dorëzohen para strukturave të dyshimta kriminale. Po i ngushtohet rrethi”, tha Haradinaj.

Reagim pati edhe nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i cili ka shkruajt  “krimi ka emër”.

Televizioni ka dërguar pyetje edhe në partinë e Lëvizjes Vetëvendosje por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.