2
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se subjekti që ai e drejton me kandidatin për kryeministër, Bedri Hamzen, do t’i hyjnë garës për t’i fituar zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, ndërsa ka theksuar se gatishmërinë për t’iu drejtuar kutive të votimit e kanë pasur qysh në qershor të këtij viti.
Kreu i PDK-së ka thënë se parimisht nuk kanë vija të kuqe me partitë e tjera pasi në këtë formë “ofendohen dhe përjashtohen votuesit e tyre”, ndërsa bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje e sheh jofunksional.
Ai ka shtuar se janë të bindur që do ta krijojnë shumicën shqiptare dhe shumicën parlamentare që do ta udhëheqin vendin pas 9 shkurtit.
“PDK-ja hynë në garë për t’i fituar këto zgjedhje, për të marr besimin qytetar, për të dal e para dhe normalisht pas asaj nëse ka hapësirë për të diskutuar me partitë që janë të përafërta me bindjet tona politike programore, ideologjike dhe me programin që do ta bart Hamza, normalisht që kemi bërë në të kaluarën dhe do të bëjmë edhe në të ardhmen. Unë gjithmonë do ta konfirmoj që ne parimisht kurrë vija të kuqe nuk kemi pasur, nuk kemi dhe as nuk do të kemi. Por, parimisht sepse konsiderojmë edhe kemi konsideruar që kur i thua dikujt kam vija të kuqe ndaj teje, ti e ofendon edhe i përjashton votuesin e tij. Jo domosdoshmërisht individin që e përfaqëson atë dhe në fund të fundit ne të gjithë jemi votues të Kosovës, gjithë jemi shqiptarë, por preferencat tona janë të qarta, nuk kemi preferenca me pas çfarë do lloj bashkëpunimi me VV-në sepse hendeku mes nesh i të kaluarës por edhe i tashmes është shumë i madh dhe nuk do të funksiononte një marrëveshje e tillë. Andaj fokusi jonë është qytetari, do të mundohemi që të marrim besimin e tyre, është verdikti i tyre ai që në fund vendos se kush duhet të qeverisë. Por jam i bindur që ne do ta krijojmë shumicën shqiptare dhe shumicën parlamentare, me respekt për komunitetet minoritare që do ta udhëheqin vendin pas 9 shkurtit 2025”.
“Normalisht ne jemi në garë për ta udhëhequr qeverinë dhe për të ndodhur një gjë e tillë duhet me pasur postin e kryeministrit. Kemi përvoja prej të kaluarës ku kemi pasur edhe pozicioni udhëheqës me kryeministrin e ku kemi qenë koalicion pa e pasur postin e kryeministri, ka dallim të ju them të drejtën, sepse mbi të gjitha është e vërtet që karakterin qeverisës dhe mentalitetin qeverisës parasë gjithash e definon që është në krye të qeverisë, pra kryeministri i vendit”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se si PDK kanë qenë të gatshme për zgjedhje qysh në qershor të këtij viti dhe se shumë shpjet kandidati i tyre për kryeministër do ti vizitojë qytetarët anë e mbanë vendit.
Ai është shprehur se me qytetarët do të diskutojnë se çka duhet të bëjmë nesër si qeveri për të ju ofruar perspektiv dhe mundësi më të madhe qytetarëve.
“Tash kemi një hapësire kohore më të gjatë ku edhe dinamika pa dyshim e fushatën zgjedhore dhe e komunikimit tonë drejt për drejt me qytetarët, ka ndryshuar me qenë se është një fazë me e gjatë. Unë besoj që ju shumë shpjet do të shihni, kandidatin tonë për kryeministër zotëri Bedri Hamza, anë e mbanë vendit duke komunikuar drejt për drejt me qytetarët, për të diskutuar propozimet tij dhe platformën elektorale të PDK-së, e cila më pas do të finalizohet me një konventë promovuese. Do të jemi në secilën lagje, në secilin fshat e qytet të Kosovës për të takuar qytetar, për të diskutuar hapur dhe sinqertë me ta, për situatën në të cilën gjendemi dhe për ato që ne besojmë që duhet të ndodhin në Kosovë. Është tepër e nevojshme dhe e domosdoshme që të mos mbetemi peng i diskutimeve për të kaluarën, por të diskutojmë për të tashme dhe të ardhme. Të flasim se çka duhet të bëjmë nesër si qeveri për të ju ofruar perspektive dhe mundësi qytetarëve tanë në mënyrë të veçantë të rinjve tanë, në mënyrë që edhe kjo dinamik e madhe e largimit të tyre nga Kosova të ndalet, të flasim se çka mund të bëjmë për të përmirësuar shëndetësinë, çka mund të bëjmë për të ndihmuar ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, karshi çmimeve enorme dhe rritjes që ka ndodhur gjatë viteve të fundit, si duhet ti ndihmojnë bizneset dhe sektorin privat”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se me propagandat e kryeministrit Albin Kurti, me temat për veriun e vendit, qytetarët kanë rënë kurth i këtyre diskutimeve në vend që të diskutohen 1000 tema të tjera.
Ai ka theksuar se edhe temat për veriun e vendit mund të jenë të rëndësishme por që kjo temë nuk mund që ta marrin rreth 80 për qind të diskutimit publik dhe se me sfidat e tjera me të cilat ballafaqohen qytetarët çdo ditë të mos diskutohen.
“E gjitha temat e fushat të tjera të cilat duhet ti trajtojmë, është e dhimbshme vërtetë që ne me propagandën e Kurti për veriun kemi mbetur në një kurth të këtyre diskutimeve në vend se të flasim për 1000 tema të cilat janë drejtpërdrejt ndikuese në jetën tonë. Në vend se ti kemi 10 artikuj, 10 konferenca e storie për mungesën e filtrave ne Kosovën A, ne nuk flasim për një gjë të tillë e cila na dëmton neve, shëndetin e familjarëve tonë, fëmijëve, pleqve e gjithë të tjerëve, sepse duhet me fol kush po shkon me u la në Ujman, kush po kërcen më mirë prej Urës së Ujmanit edhe çfarë dyqane të reja janë hapur përtej urës. Mund të jenë edhe këto të rëndësishëm por nuk munden me marr 80 për qind të diskutimit publik e 20 për qind të gjitha temat e tjera ku ne e dimë që ballafaqohemi si qytetarë për çdo ditë me sfida dhe të tjera”, ka thënë ai./EO