Lajme

OSSH abuzon më paratë e taksapaguesve shqiptarë/ 4.8 mln euro në shërbim të koncensionarit të Aeroportit të Vlorës

Më 15 qershor 2021, qeveria jonë firmosi kontratën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, me shoqëritë MABCO CONSTRUCTION SA, YDA INSAAT SANAYIVE dhe 2A GROUP.

Investimi për këtë vepër që do të kushtojë 104.3 milion euro, do të jetë privat dhe të ardhurat koncesionari do t’i përfitojë nga tarifat e operimit për 35 vite që do të ketë menaxhimin e tij.

Më 11 qershor 2024, Drejtoria e tensionit të lartë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, hapi garën për të ndërtuar një nënstacion të ri me kapacitet 110 kilovolt me vlerë 4.2 milion euro, me afat përfundimi pas 14 muajsh.

Pra, nëse e marrim të mirëqenë që punimet e aeroportit përfundojë në dhjetor, i bie që nënstancioni që po ndërtohet për t’i shërbyer kësaj vepre, do të përfundojë një vit pas tij. Koordinim perfekt.

Por nuk ka shumë vend për t’u çuditur, sepse kësaj anomalie i është gjetur zgjidhja. Në dokumentat e tenderit propozohet që në shërbim të koncesionarit, derisa të përfundojë nënstacioni të vihet në dispozicion njësia e lëvizshme që shërben për emergjenca.

Po a është normale kjo, për një vepër e cila është e gjitha në duart e kompanive private? Pse shteti duhet të financojë për nënstacion elektrik për furnizimin me energji, një detyrë që duhet ta marrë përsipër privati, me fondet dhe kapacitetet e tij?

Dhe jo vetëm një herë, sepse një vit më parë, në tetor 2023 u hap tenderi për “Furnizimin e Aeroportit të Vlorës” dhe ndërtimi i linjës kabllore 35 kilovolt nga Nënstacioni i Mifolit në Aeroport”.

Vlera e kontratës ishte 630 mijë euro, por punimet shkuan dëm sepse nënstacioni i Mifolit nuk e përballon kërkesën për të furnizuar me energji elektrike aeroportin.

Ndaj u desh ky tender i dytë, këtë herë me vlerë 4.2 milion euro.

Këto tendera për furnizimin me energji të aeroportit janë hapur nga OSSh, që do të thotë se veprat do të financohen nga buxheti i kompanisë publike. Ndërsa në kontratën që është lidhur mes Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë me koncesionarin e aeroportit, përgjegjësia për punimet e infrastrukturës për furnizimin me energji elektrike i ngarkohet koncesionarit.

Pra kompanive private që kanë marrë përsipër të menaxhojnë aeroportin për 35 vitet e ardhshme, por në projektin e detajuar teknik, ky detaj për ndërtimin e një nënstacioni është harruar dhe për të mbuluar shpenzimin e 4.8 milion eurove, OSSH e ka quajtur projektin e aeroportit të Vlorës strategjik.

Por ky është një desinformim i publikut, sepse nëse sheh vendimet e shpallura nga Komiteti i Investimeve Strategjike, ky status nuk është dhënë për aeroportin e Vlorës. Madje plani për të ndërtuar këtë nënstacion, nuk ka qënë as në programin ekonomik të OSSH në vitin 2023, por ka ndryshuar gjatë këtij viti.

Mos ndoshta 3 kompanitë e aeroportit kanë marrë edhe OSSH-në me koncesion dhe ne nuk dimë gjë?

Lidhur me këto pyetje, drejtorii OSSH-së, Blendian Dalipi, u shpreh se nuk i intereson kontrata që lidh koncensionari me ministrinë dhe se është detyrë e institucionit të tij për të furnizuar me energji aeroportin. Por kjo nuk do të thotë që kjo drejtori, duhet të hapë tendera për të ndërtuar nënstacione elektrike.

Ndërkohë që, qytetarët duhet të paguajnë vetë për matësin, kur kërkojnë shtimin e fuqisë në linjën që i furnizon shtëpinë dhe për çdo gjë tjetër, investitorët strategjikë dhe koncesionarët përjashtohen nga këto pagesa.

Madje për investimet e tyre ndryshohen dhe planet e investimit, sepse qytetarët mund të presin pak, që të kenë kushte më të mira turistët. Mos harroni, të gjitha këto para për investimet e tyre, i paguajmë në fund të çdo muaji te fatura e dritave.