Lajme

“Deklarim i rremë, mashtrim”, Lladrovci demanton lajmin se vetura e aktivistit Haradini është dëmtuar nga “njerëzit e tij”

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka demantuar lajmin se vetura e aktivistit Perparim Haradini është dëmtuar nga “njerëzit e tij”.

Lladrovci thotë se vetura e cila është publikuar në rrjete sociale e dëmtuar më datë 19 (e enjte) e njëjta është konfiskuar më datë 4 shtator nga Policia e Kosovës.

“Videoja ku shihet vetura e dëmtuar është deklarim i rremë dhe mashtrim ndaj opinionit publik nga ana e personave të identifikuar nga Policia.Paraqitje e rreme e dëmtimit të veturës kishte për qëllim denigrimin e procesit demokratik që zhvillohet tradicionalisht në Komunën dhe Kuvendin e Drenasit, dhe ishte drejtuar kundër meje si kryetar i Komunës”, ka shkruar ai në Facebook.

Pak para se të niste seanca në Kuvendin Komunal të Drenasit disa aktivistë të “Demokratët për Drenasin” kishin kundërshtuar dhënien e 54 pronave publike. Lidhur me këtë kryetari Lladrovci të njëjtit i kishte larguar nga salla.

Ndërkohë, pas seancës, aktivisti Përparim Haradini kishte reaguar në rrjete sociale duke thënë se dikush ia ka dëmtuar veturën pas kundërshtimeve për prona.

“Komentet e mija, disave po i pengojnë. Por le ta dijne mire, qe nuk terheqem mbrapa. Jam çdo here me zerin ndryshe, jam çdo here me ata qe do e bejne Drenasin te jetushem e te punueshme. Servilat mendimin e pavarur e xhelozojn, sepse tani i kan duart e lidhur nga shefat e tyre”, ka shkruar Haradini në Facebook.  /teve1.info/