Lajme

Azemi: Paga 350 euro nuk është e pranueshme për ne

Kryetari i sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi ka shprehur dyshime mbi realizimin e vendimit për rritjen e pagës minimale në 350 euro bruto.

Ai ka theksuar se nuk beson se ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2024, duke e konsideruar atë të paqartë dhe të pa qartësuar në mënyrë ligjore.

“Realisht nëse e shohim në formë ligjore nuk është ardhur  deri te hyrja në fuqi e këtij vendimi , nuk e besoj se do të hyjë në fuqi ky vendim nga 1 tetori, mirëpo gjithçka është e mundur , por nëse pyesim se a është ardhur deri te një formë e kësaj page në mënyrë ligjore, nuk është ardhur”, tha Azemi.

Azemi gjithashtu ka theksuar se paga e propozuar nuk është e pranueshme për sektorin privat dhe ka shprehur skepticizëm që ky vendim do të realizohet, duke e krahasuar me vendime të tjera që janë diskutuar por nuk janë zbatuar. Ai përfundon duke thënë se aktualisht nuk po shohin ndonjë ndryshim serioz nga ky vendim.

“Për ne nuk është e pranueshme kjo pagë 350 euro sepse kjo pagë ka pasur efektin e vet sigurisht në fillim të mandatit ashtu edhe siç është premtuar dhe realisht nuk e besoj që ky vendim do të hyjë në fuqi sepse si shumë vendime të tjera vetëm është folur dhe ka mbetur ashtu prandaj nuk po shohim kurgjë diçka serioze”, deklaroi ai.