Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje thonë se në afatin e duhur kohor do të gjenden modalitetet për të hequr masat e sigurisë ndaj mallrave serbe. Sipas tyre, pasi të ketë siguri të plotë se mund të parandalohet çfarëdo kontrabandimi ilegal nga Serbia, veçmas pas sigurimit të skanerëve në pikat kufitare do të konsiderohet një mundësi e tillë. Mirëpo nuk treguan nëse e njëjta do të ndodh para takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor më 14 tetor në kuadër të Procesit të Berlinit. Në anën tjetër, dy partitë opozitare, PDK dhe AAK adresuan kritika ndaj qeverisë, siç thanë për izolim të Kosovës në iniciativat rajonale.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se Kosova është në pritje të skanerëve, të cilët do të bëjnë skanimin e kamionëve apo maunave që hyjnë nga Serbia në Kosovë.
Ajo shtoi se presioni gjerman ndaj Kosovës është i padrejtë, pasi siç tha për Kosovën ka standarde më të rënduara sesa për vendet të tjera të rajonit.
Përkitazi me këtë, Kusari-Lila tha se në të gjitha diskutimet në kuadër të vendeve të rajonit duhet të jetë fokus te agjenda destruktive e Serbisë dhe ndërhyrjet te shtetet fqinje.
Kusari-Lila: Në afatet e duhura kohore do të gjendet modalitetit që të hiqen masat e sigurisë ndaj mallrave serbe
“Kosova është në pritje të skanerëve detal të cilët do të bëjnë skanimin e kamionëve apo maunave që hyjnë në të gjitha pikat kufitare në veçanti në pjesën në veri. Besoj se në afatet kohore do të gjendet modaliteti më i mirë që në momentin kur të kemi siguri të plotë se mund të parandalohet çfarëdo kontrabandimi ilegal nga ana e Serbisë brenda territorit të Kosovës mund të hiqet masa e sigurisë, që po e ritheksoj është çështje e sigurisë kombëtare”, tha ajo.
Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se qeveria me qasjen e saj të gabuar se ka sjell Kosovën në një izolim, ku tash rrezikohet edhe nga përjashtimi nga nismat rajonale.
Sipas tij, PDK-ja e ka mbështetur ekzekutivin në dialog me Serbinë, mirëpo edhe në bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.
Tahiri: Nuk mund të presim agjendë zhvillimore, derisa jemi nën sanksione
“Jemi munduar në shumë rrafshe t’i ndihmojmë kësaj qeverie edhe nga pozicioni opozitar. Në aspekt të dialogut, ju e dini se ne i kemi dhënë mbështetje të pa rezervë…20:45 Se kemi imagjinuar asnjëherë se përfundimi i mandatit të qeverisë së Albin Kurtit e nxënë Kosovën të sanksionuar. Kjo nuk besoj se i ka shkuar në mendje dikujt, por fatkeqësisht këtu jemi. Nuk mund të presim agjendë zhvillimore dhe qasje ndryshe prej këtyre njerëzve që na kanë pruar në këtë situatë. Ne lutemi që këto sanksione të mos shtohen deri më 9 shkurt, ndërkaq nga 9 shkurti, Kosova do të hyn në një agjendë të re”, theksoi ai.
Kritika adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se Kosova tashmë ka hyrë në listë të zezë të secilës iniciativë rajonale dhe se po trajtohet nga BE-ja dhe ShBA-ja si një vend që bënë probleme.
Tahiri: Kosova është në listë të zezë të secilës iniciativë rajonale
“Kosova nuk është formalisht në listën e zezë, por është në listën e zezë të secilës iniciativë rajonale, iniciativë të Bashkimit Evropian, secilës listë në arenën ndërkombëtare dhe te amerikanët. Mos harroni se ne jemi përjashtuar nga ushtrimi “Defender 2023” që kanë punuar 1 vit. Ne jemi sot në sanksione të BE-së dhe ju them me keqardhje se pak ka optimizëm që mund të largohen këto sanksione. Neve na vjen përfaqësuesi i kancelarit gjerman dhe na thotë troç që mund të përjashtoheni nga nismat rajonale…Nuk duhet dikush me ta vizatu që je në një listë të zezë, por veprimet të tregojnë ku je. Katër vjet asnjë njohje, vazhdojmë me qenë në sanksione të unionit evropian dhe vazhdojmë të trajtohemi në mekanizma rajonal si vend që bënë probleme”, deklaroi Tahiri.
Këto komente shefat e grupeve parlamentare i bën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, ku u vendos që seanca e radhës plenare të mbahet të enjten më 26 shtator.
Në rend të ditës për shqyrtim janë tri marrëveshje ndërkombëtare dhe një sërë projektligjesh. Për këto të parat përfaqësuesja e LVV-së u shpreh optimiste se do të kalojnë.
Ndërkaq, nga PDK-ja thanë se në mbledhjen e sotme kërkuan përfshirjen në rend të ditës shkarkimin e bordit të RTK-së.
Po ashtu edhe deputeti nga AAK, Besnik Tahiri, nënvizoi rëndësinë që Projektligji për zyrtarët publik të mos miratohet në seancën e së enjtes, pasi sipas tij i njëjti ka shumë probleme.