Policia e Kosovës, u ka kërkuar qytetarëve që të kenë kujdes nga mashtrimet përmes internetit pasi ka rritje të numrit të tyre.
Në njoftim thuhet, se së fundmi janë raportuar gjashtë raste janë të mashtrimit të kësaj natyre në të cilat qytetarët janë mashtruar me shuma të konsiderueshme të parave.
“Me këtë rast informon qytetarët dhe subjektet private se nga Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren, po merren të gjitha masat për parandalimin e rasteve të ngjashme por edhe identifikimin dhe kapjen e autorëve për rastet e ndodhura”, thuhet në njoftim
Po ashtu, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, ka bërë apel tek qytetarët dhe subjektet afariste, që të bëjnë kujdes sa i përket ekspozimit të dhënave të tyre personale e bankare në mjediset e jetës së përditshme në mënyrë që të mos bien pre e mashtrimeve të ndryshme të cilët kanë për qëllim vjedhjen apo manipulimin e fondeve përmes llogarive bankare.
“Në rast se merrni kërkesa për kryerjen e pagesave në llogari bankare të ndryshme, duhet të verifikoni paraprakisht me mjete të tjera komunikimi nëse llogaria i përket vërtetë personit tek i cili dëshironi të bëhet destinomi”, theksohet më tej.
Sipas njoftimit, kujdes duhet pasur edhe gjatë dhënies së kodeve të hyrjes për llogaritë e rrjeteve sociale, postës elektronike si dhe çdo program tjetër i cili mundëson hyrjen nëpërmjet kodeve të sigurisë.
“Duke shpresuar se do të gjejmë mbështetje të plotë nga ana e qytetarëve, mediave por edhe subjekteve private, sugjerojmë të mos neglizhohet asnjë rast i dyshuar apo evidentuar nga ana e juaj, duke u drejtuar në mënyrë të menjëhershme në policinë e Kosovës”, thuhet në fund./teve1.info/