Lajme

Hajdari: BE-ja tha se do ta hetojë sulmin në Banjskë, e me Serbinë po bisedon për anëtarësim

Opinionistja nga Gjermania, Vjollca Hajdari, ka folur mbi atë se si u prezantua në arenën ndërkombëtare agresioni i 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Hajdari tha se Qeveria e Kosovës bashkë me presidenten Vjosa Osmani e mediet, kanë qenë të zëshëm në lidhje me faktin se sipas saj, sulmi është bërë nga ana e Serbisë dhe nga grupe paramilitare që qëllim kishin aneksimin e veriut.

“Serbia ka përdorur narrativën e tij, duke thënë se ‘ne nuk kemi vajtur në vendin e huaj që të aneksojmë pjesë të një vendi të huaj por ne kemi bërë sulm kundër disa të tjerëve që kanë hyrë në territorin tonë’. Këtu është cështja kryesore, narrativa me të cilën shërbehet Serbia. Serbia thotë edhe më tej se Kosova është pjesë integrale e saj. Kjo bie ndesh me pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”.

“Beogradi është ai që bën kërkesa për integritetin territorial brenda Serbisë dhe e sheh Kosovën si vend jo të pavarur. E dimë që Serbia s’e njeh pavarësinë Kosovën dhe këtë pak a shumë e mbështesin edhe pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Hajdari.

Tutje, ajo tha se është e drejt që t’i kërkohet bashkësisë ndërkombëtare që t’i vë sanksione Serbisë, por tha se ka ndodhur e kundërta.

“Përkundër faktit që në fillim thanë se do ta bëjnë një komision hetimor që t’i gjejnë përgjegjësit në lidhje me sulmin terrorist, por tani ata kanë filluar të bisedojnë me Serbinë edhe në lidhje me kandidaturën e saj për në BE”.

“Në një raport të bërë në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe pranimin e Serbisë në këtë union, ata vetëm një herë e kanë përmendur sulmin terrorist në Banjskë”, tha ajo.

Këtë të martë janë bërë 1 vit prej agresionit në Banjskë, ku më 24 shtator 2023 u vra rreshteri Afrim Bunjaku nga grupi paramilitar i udhëhequr nga krimineli Millan Radoiçiq.