Lajme

​Në mungesë kuorumi nuk miratohet raporti vjetor i punës për BQK-në

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mungesë kuorumi ka shtyrë për votim për mbledhjen e radhës raportin vjetor të punës së Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2023.

Guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili para anëtarëve të komisionit ka deklaruar se sistemi financiar në vend është stabil.

“Sistemi financiar është stabil, i kapitalizuar mirë në nivel të kënaqshëm të likuiditetit…Ekonomia globale dhe ajo e Eurozonës përjetuan sfida të mëdha gjatë vitit 2023. Ngadalësimi i kërkesës së jashtme, inflacioni i lartë dhe rritja e kostos së financimit, pas shtrëngimit të politikës monetare, ndikuan negativisht në rritjen ekonomike. Ekonomia e Eurozonës shënoi rritje 0.4 për qind… Ekonomia e Kosovës, sipas raportit vjetor të dorëzuar, ka shënuar rritje 3.3 për qind…Sa i përket çmimeve në Kosovë, ndoqën një trend ngadalësimi të ndikuar kryesisht nga stabilizimi i ofertës, çmimeve të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare, shkalla e inflacionit rezultoi në 4.9 për qind në vitin 2023, në 11.6 për qind sa ishte, 4.1 për qind e këtij inflacioni ishin të importuara”, tha Ismaili , shkruan KP.

Ndërkaq, pas prezantimit të raportit, deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka pyetur guvernatorin Ismaili rreth kamatave të larta në bankat e Kosovës.

“Nëse analizojmë situatën e sistemit bankar në Kosovë sërish kemi kamata të larta që bankat janë shumë profitabile që shkon në disfavor të qytetarëve dhe zhvillimit të bizneseve. Sa ju keni menduar që mund të ndikoni në zbutjen e kamatave, sepse edhe në Eurozonë ka pasur ngritje para dy vjetësh, por tani ka rënë në përqindje të madhe, ndërsa këtu sërish janë shumë të larta. Sa do të ndikoni në të ardhmen që më të vërtetë të ndikojë në uljen e kamatave, sepse shkon në favor të zhvillimit ekonomik dhe bizneseve, e sidomos qytetarëve…A mund ta di cilat janë investimet e huaja që kanë ndikuar në qëndrueshmërinë e sistemit apo zhvillimit ekonomik”, ka pyetur Lekaj.

Guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili tha se normat e kamatës në Kosovë janë mbi mesataren e tregut rajonal.

“Shpreh pajtimin që kamatat janë të larta, ne duhet të marrim krahasim në aspektin rajonal, normat e kamatës në Kosovë janë mbi mesataren që ka tregu rajonal”, tha Ismaili.

Deputeti nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje Eman Rrahmani ka kërkuar hartimin e rregullores për kreditë pa kamatë.

“Pse nuk po e bëni rregulloren për kreditë jo kamatore, çfarë po ju pengon”, ka pyetur Rrahmani.

Kreu i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmeti Ismaili tha se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Sa i përket kredive jo kamatare nuk kemi pengesë dhe nuk është po na pengon dikush, dhe nuk është që nuk kemi marrë veprime për këtë drejtim. Së fundi, jemi angazhuar me një projekt të Bankës Botërore, kemi marrë disa praktika të disa vendeve, kemi marrë edhe draftet e rregullores që kanë ata. Është e vërtetë se kërkohet set komplet i rregullave të reja me standarde të lira, ju siguroj se është një prej instrumenteve që ndihmon qasjen në financa, kemi interesim ta përfshijmë”, tha ai.