Kancerogjenët e mundshëm u gjetën në materialet që vijnë në kontakt me ushqimin, duke përfshirë plastikën dhe letrën
Gati 200 kimikate që shkaktojnë kancer të gjirit janë identifikuar në materialet që vijnë në kontakt me ushqimin, duke përfshirë plastikën dhe letrën, sipas hulumtimit nga Forumi jofitimprurës zviceran i paketimit të ushqimit.
Hulumtimi, rezultatet e të cilit janë publikuar në revistën “Frontiers in Toxicology”, evidenton se 189 substanca të tilla u zbuluan në materialet që vijnë në kontakt me ushqimin, duke përfshirë 143 në plastikë dhe 89 në letër ose karton.
Për kërkimin, ekipi shkencor përdori një listë të substancave të publikuara së fundmi se mund të shkaktojnë kancer të gjirit, listë e nxjerrë nga studiuesit në Institutin Silent Spring. Lista mbështetet dhe në bazën e të dhënave të Forumit të Paketimit të Ushqimit (FCCmigex Database).
Këto të dhëna sugjerojnë se cilat janë produktet ambalazhuese që bartin kimikate të cilat vijnë në kontakt me ushqimin.
Mostrat e studiuara janë marrë nga tregjet në zona të ndryshme të botës ku ka standard të lartë të përdorimit të materialeve paketuese që vijnë në kontakt me ushqimin. Mes vendeve të inspektuara janë ato të Bashkimit Evropian dhe SHBA.
Gjetjet theksojnë nevojën urgjente për masa më të forta parandaluese për të reduktuar këto kimikate në produktet e përditshme.
Shumë vende kanë legjislacion për materialet e kontaktit me ushqimin (FCM) që synon të mbrojë qytetarët nga kimikatet e rrezikshme, me qëllimin për të shmangur kancerogjenët gjenotoksikë.
Pavarësisht rregulloreve të tilla, kanceret që shoqërohen me ekspozime të dëmshme kimike janë shumë të përhapura, veçanërisht kanceri i gjirit.
Ndërsa rregulloret globale dhe vlerësimet e rrezikut të FCC-ve synojnë të parandalojnë efektet e pafavorshme shëndetësore të lidhura me ekspozimet ndaj FCC, provat sugjerojnë se këto masa nuk janë plotësisht efektive.
Studimi që publikoi Frontiers evidenton se janë 921 substanca që janë kancerogjene potenciale që shkaktojnë tumoret në gji. Në rezultatet e këtij studimi të fundit del se 21 për qind e tyre ose 189 elementë gjenden në paketimet e ushqimeve. /noa.al