Lajme

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se deklarata e Hovenier ishte mesazh për Qeverinë

Ditën e nisi me kritika të ashpra për Qeverinë e Kosovës.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier konfirmoi mbështetjen ndaj vendit tonë në rrugën euroatlantike. Por shtoi se duhet angazhim i institucioneve kosovare.

Madje për këtë, përdori një thënie të gjyshit të tij, e që nuk ishte e zakonshme për një ambasador.

“Gjyshi im ka pasur një thënie njëherë, dhe ju lutem më falni për karakterin paksa të shëmtuar në të, nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën e tij. Qëllimi im se çka dua të them është se ne duam të përkrahim Kosovën në rrugën euroatlantike, kemi bërë shumë, presidentë, sekretarë të shtetit e ambasadorë për të avancuar këtë. Ne duam të ndihmojmë. Presim çdo qeveri e Kosovës të na jap argumentet më të mira, municionet më të mira në këto bisedime”, tha ai.

E sipas ish – ambasadorit, Blerim Canaj në gjuhën diplomatike po jepen mesazhe që ka humbur durimi i ndërkombëtarëve.

Për njohësin e zhvillimeve politike, Visar Xanin thënia e ambasadorit amerikan është përgjigje ndaj deklaratave të krerëve të ekzekutivit karshi faktorit ndërkombëtar.
Hovenier gjatë ditës së mërkurë kërkoi edhe më shumë përkushtim dhe energji për rrugën e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.