Lajme

Serbët e Kosovës “jetojnë në frikë”, për këtë fajësojnë si Kurtin, ashtu edhe Vuçiqin

Qytetarët serbë të Kosovës po pretendojnë se është duke ndodhur një eksod i qetë por i vazhdueshëm i tyre.

Për këtë pretendim, fajtorë ata bëjnë kryesisht veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe.

Për shkak se serbët kanë bojkotuar çdo regjistrim të popullsisë që nga viti 2008, është e paqartë se sa kanë mbetur në Kosovë.

Edhe Nenad Rashiq, anëtari i vetëm serb i qeverisë së Kosovës, i tha AFP-së se nuk kishte të dhëna të tilla.

“Fatkeqësisht, shkollat ​​fshehin numrin nxënësve të tyre, me urdhër nga Beogradi, dhe gënjejnë duke thënë se numrat po rriten — ndërsa ne e dimë se ato bien në mënyrë drastike”, shprehet ai për AFP.

Por, përpos që fajësojnë veprimet e Qeverisë Kurti, ka serbë të Kosovës që guxojnë të fajësojnë edhe regjimin e Serbisë.

Momqillo Trajkoviq, presidenti i Forumit Kombëtar Serb, një grup avokues nga Graçanica, fajëson si administratën aktuale kosovare, ashtu edhe atë të Alleksandar Vuçiqit për ndryshimin e gjendjes së tyre.

“Përgjegjësia për situatën në të cilën ndodhen serbët bie mbi Kurtin”, tha Trajkoviq për AFP.

As “Vuçiqi nuk mund të lirohet nga përgjegjësia”, tha Trajkoviq. “Ai i mashtroi këta njerëz, nuk i ndihmoi të qëndrojnë në Kosovë, i keqpërdori për të pushtuar dhe për të qëndruar në pushtet”.

Një kritikë e tillë rrallëherë shprehet hapur në zonat me shumicë serbe të Kosovës, ku dora e zgjatur e Beogradit mbetet vigjilente ndaj disidencës.

“Ata janë mësuar gjatë këtyre 12 viteve të sundimit të Vuçiqit që të kenë frikë edhe të mendojnë dhe të mos thonë me zë të lartë se Vuçiqi është fajtor”, tha për AFP Nenad Radosavleviq, aktivist dhe botues nga Leposaviqi në veri të Kosovës.

“Njerëzit duhet t’ia dalin mbanë. Ata me të vërtetë jetojnë në frikë”.