Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 26-vjetorin e masakrës në Abri të Epërme ka përkujtuar 23 martirët e kësaj masakre.
Kurti, ka thënë se kjo masakër është ndër krimet më mizore të gjenocidit të Serbisë në Kosovë, për të cilën siç ka thënë ai, askush nuk është dënuar.
“Më 26 shtator 1998, pjesëtarë të tri njësive të policisë së Serbisë dhe kontigjente të Ushtrisë Jugosllave, hynë në fshat. Anëtarët e familjes Deliu po strehoheshin në mal. Ata i qëlluan nga afërsia e pastaj ua gjymtuan kufomat. Masakra e Abrisë është një nga krimet më mizore të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Për të askush nuk është dënuar.Atë ditë i masakruan 22 anëtarë të familjes Deliu. Më i moshuari ishte Fazli Deliu 94 vjeç. Më i riu, u privua nga jeta që në barkun e nënës. Luljetës shtatzënë ia prenë barkun me foshnjën e palindur.E vranë edhe Mihanen, në krah me të birin, Mirin. Mihane Gashani Deliu, më 25 shtator kishte pasur ditëlindjen e 28-të. Valmir Deliu, më 21 shtator, kishte pasur ditëlindjen e dytë.Diturije Deliu, foshnja që ishte gjetur e gjallë në kraharorin me gjak të nënës, nuk mbijetoi. Ajo vdiq më 19 nëntor 1998, rrugës për në fshatin Tërdec, derisa po dërgohej te një mjek i luftës. I kishte vetëm 95 ditë jetë”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Më tej, ai ka përkujtuar edhe 13 burrat shqiptarë të vrarë në fshatin Gollubovc të Malishevës, më 26 shtator të vitit 1998.
“Më 26 shtator 1998, forcat e armatosura serbe hynë edhe në fshatin Gollubovc të Malishevës. Aty i vranë 13 burra shqiptarë, civilë të paarmatosur. Pas torturave disa orëshe, ata i shtrinë përtokë, me duar pas koke. U ekzekutuan nga policia, një nga një, me nga dy plumba. Për këto krime askush nuk është dënuar. Përkujtojmë Valdet Xhemajlin, Vesel Demakun e Afrim Hajdarajn, që ranë dëshmor atë ditë, duke mbrojtur popullatën civile”, ka shtuar ai./teve1.info/