Lajme

Haxhiu pret në takim homologun daneze, flasin për zbatimin e marrëveshjes për burgjet

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim homologun e saj danez, Peter Hummelgaard, me të cilin kanë diskutuar për përparimin në zbatimin e marrëveshjes për burgjet.

Në një njoftim për media thuhet se në kuadër të kësaj marrëveshjeje, janë transferuar 5 milionë euro për renovimin e burgut dhe ndërtimin e punëtorive të reja, një projekt i cili do të përfundojë brenda 18 muajsh.

“Projekti për renovimin e burgut dhe ndërtimin e infrastrukturës është hartuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili tashmë ka nënshkruar kontratën për hartimin e specifikave teknike. Gjatë kësaj periudhe, përveç punimeve infrastrukturore, do të trajnohet stafi aktual dhe do të rekrutohet stafi i ri, sipas nevojave të përcaktuara në marrëveshje.

Të dy ministrat theksuan rëndësinë e Komitetit të Përbashkët Drejtues, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e plotë të marrëveshjes, duke siguruar përmbushjen e standardeve për menaxhimin e burgut dhe përkujdesjen ndaj të burgosurve. Marrëveshja Bashkëpunuese ndërmjet dy vendeve do të finalizohet pas përfundimit të punëve teknike dhe do të rishikohet dy herë në vit”, thuhet në komunikatë.

Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar në maj marrëveshjen për t’ia lëshuar me qira Danimarkës një burg në Gjilan.