Lajme

Kuvendi nuk arrin të përfundojë pikat e rendit të ditës në mungesë kuorumi

Kuvendi i Kosovës mbajti sot seancën e radhës, por e cila dështoi në mungesë kuorumi. Gjatë seancës, u diskutua ndër të tjera edhe për përjashtimin ditë më parë nga shkolla të 18-vjeçares me mbulesë, për çka deputeti i LVV-së, Visar Korenica tha se nuk do të marrë pjesë në asnjë votim, derisa vajza të kthehet përsëri në shkollë.

Edhe kjo e enjte, deputetët i solli në Kuvend.

E në rend dite ishin 24 pika të papërfunduara nga seanca e kaluar.

Por kjo seancë dështoi, pasi deputetët nuk votuan asnjërën nga pikat.

E e gjithë seanca për aq sa zgjati, u përcoll me reagime e kundër-reagime.

Debati filloi me propozimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola i cili kërkoi votimin për shtatë anëtarë të rinj të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, për çka u kundërshtua nga PDK, LDK dhe AAK.

“Është e vërtetë që disa që nuk janë më nuk janë zgjedhur mund të jenë të mirë, besoj se janë të mirë në fakt personalisht, por ky komision me votë dhe diskrecion ka konsideruar që mirë është t’i jipet shanca disa të rinjve ashtu që disa që kanë qenë më përvojë mos të rizgjedhen dhe ata që janë me perspektivë dhe kanë një potencial të zgjedhen dhe t’i jipet shanca”, tha Gola

“Kanë mbetur jashtë njerëz me doktoratura tha, nuk kemi leju tha ankesën këto janë çfarë tha z,Golaj, pyetjet e mija janë pse duhet me qenë një vullnet politik i një grupi parlamentar, pse nuk ka gjithëpërfshirje për trashëgëminë kulturore, pse është eliminua një metodologji efikase të cilën e tha vet se ka qenë efikase ndonëse ka pas disa probleme në rezultatin final, pra ka qenë shumë me efikase se kjo”, tha Arben Gashi nga LDK.

“ Ju lutem, nuk mundesh, nuk mundet as profesori Gola dhe askush prej deputetëve me ndalë procesin e ankimimit të njerëzve që mendojnë se iu është bërë e padrejtë në atë proces, unë skam qenë pjesë e procesit e dëgjova deputetët Dumoshi se cfarë tha, unë mendoj se nuk i keni votat me kalu ne nuk do të marrim pjesë as nuk do të bëjmë kuorum as nuk do të marrim pjesë në këtë proces të votimit”, u shpreh Besnik Tahiri nga AAK.

Propozuesi i kësaj pike tha se nuk është kundër asnjë ankimimi.

“ Unë nuk jam kundër ankesës, përkundrazi ata t’i shfrytëzojnë rrugët ligjore për ankesë, por nuk ka kuptua me u ankimu procedimi i komisionit”, u shpreh Gola.

E një propozim pati edhe deputeti, Visar Korenica.

Ai kërkoi ndryshimin e amendamentit të katërt të projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, por që edhe kjo pikë dështoi.

Deputeti Korenica pati edhe një kërkesë tjetër.

“Unë nuk e kuptoj se sa e drejtë është që ne të qëndrojmë këtu si deputet juve si kuvendar në krye të vendit, por edhe vet ministrja e Arsimit edhe të mos merret me rastin dhe me i jep të drejtën vajzës me shkua në shkollë. Ne e kemi përgjegjësinë kolektive këtu, ne si deputet por edhe ju si kryetar i Kuvendit”, tha Korenica.

Një përgjigje për këtë çështje e dha kryeparlamentari Konjufca.

“Nëse po kërkon me qenë profesional, duhet me ta tërheq vërejtjen që ishe jashtë rendit të ditës, e para, edhe besoj që fushata fillon kah 6-7 janari dhe e keni gjithë kohën e mjaftueshme me i ngrit të gjitha problemet”, tha Konjufca.

Pas këtij debati, dy deputetët e LVV-së, Korencia dhe Eman Rrahmani reaguan në rrjetet e tyre sociale duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri sa vajza 18 vjeçare me mbulesë nga Peja, të kthehet në shkollë.

Seanca përfundoi pasi kryetari Konjufca kërkoi ndërprerjen e punimeve, pas mungesës së kuorumit për të votuar edhe marrëveshjet ndërkombëtare.