Lajme

Ekstradimi i Radoiçiqit dhe ter roristëve tjerë varet nga politika ndërkombëtare, thotë ish-prokurori Hoxha

Që prej sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, institucionet shtetërore të Kosovës kërkojnë ekstradimin e të gjithë pjesëmarrësve.

Për ish-prokurorin special Sylë Hoxha, i cili e kishte ndjekur Milan Radoiçiqin si të dyshuar në rastin e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, diçka e tillë varet nga zhvillimet politike, jo nga drejtësia.

“Ekstradimi më shumë është politik, varet krejt qysh kanë me rrjedh edhe bisedimet qysh ka me rrjedh edhe politika ndërkombëtare, politika evropiane e BE-së dhe këtyre, qysh do të veprojnë ata, qysh ka me qenë në të ardhmen, a do të ketë ndonjë lëvizje progresive – më të mirë, se nëse shkon kështu si lloj ‘status quo’ është pak problem me na i kthy ata në Kosovë, me i ekstradu”.

Më 24 shtator 2024 ka nisur procesi gjyqësor ndaj tre të arrestuarve, Dushan Maksimoviqit, Vladimir Toliqit dhe Blagoje Spasijeviqit. Për 42 të tjerët, përfshirë Radoiçiqin është duke u shqyrtuar nisja e gjykimit të tyre në mungesë.