Lajme

Xani: Deklarata e Hovenier mund të kuptohet mungesë respekti ndaj atij që e drejton

Analisti politik, Visar Xani, ka thënë se deklarata e ambasadorit amerikan Jeffery Hovenier e thënë dje ndaj Qeverisë së Kosovës, nënkupton edhe mungesë respekti ndaj atij që e drejton.

Xani ka thënë se deklarata e ambasadorit duhet të kuptohet qartë e cila tregon se raportet me Qeverinë nuk janë të mira.

“Në aspektet diplomatike e protokollare nuk është etike, por kuptohet edhe mungesë respekti ndaj atij që e drejton. Pra ambasadori amerikan nuk ka respekt ndaj Qeverisë për arsye që ka pasur kritika të ashpra diplomatike deri aty veç se e ka hapur gjuhën. Ambasadori amerikan po tregon të vërtetën që nuk janë raportet e mira dhe ka ardhur puna deri aty që mund të shkaktojnë probleme të thella politike dhe mund ta izolojnë Kosovën”, ka thënë Xani në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Hovenier të mërkurën gjatë Samitit të Kosovës për Paqe e Demokraci (KPDS) pati një deklaratë të pazakonshme.

“Gjyshi im ka thënë, dhe ju lutem më falni për karakterin e shëmtuar paksa, se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino te dera e klubit. Poenta ime është që ne duam ta mbështesim Kosovën në këtë qasje, në integrimin e saj evropian dhe evropian. Ne kemi bërë shumë, presidentë, sekretarë shteti, ambasadorë, të tjerë për ta çuar përpara”, tha ai gjatë fjalimit të tij.